Shkalla e papunësisë në Shqipëri ka vijuar rënien gjatë vitit 2025, duke arritur në 8.1%, niveli më i ulët i pesë viteve të fundit. Të dhënat zyrtare të publikuara nga INSTAT tregojnë se ky rezultat reflekton ecurinë pozitive të tregut të punës dhe të ekonomisë në tërësi.
Sipas raportit, numri i të punësuarve në grupmoshën 15 vjeç e lart ka arritur në 1.178.604 persona, me një rritje prej 0.7% krahasuar me një vit më parë.
Rritja më e madhe e punësimit është regjistruar në sektorin e shërbimeve, i cili, i nxitur nga turizmi, është rritur me 3.7%. Po ashtu, industria ka shënuar rritje me 2.1%. Përkundrazi, sektori i bujqësisë ka regjistruar rënie të fortë të punësimit, duke reflektuar trendin e braktisjes së bujqësisë dhe migrimin drejt sektorëve më të paguar.
Të dhënat tregojnë se papunësia vazhdon të jetë më e ulët për burrat dhe më e lartë për gratë. Ndërkohë, një zhvillim pozitiv vërehet tek të rinjtë: shkalla e papunësisë për grupmoshën 15–29 vjeç në tremujorin e tretë të 2025-s ka rënë në 15.0%, duke shënuar një ulje prej 2.8 pikë përqindje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Paralelisht me uljen e papunësisë, edhe pagat kanë shënuar rritje të qëndrueshme. Paga mesatare mujore bruto ka arritur në 83,300 lekë, ose 7.3% më shumë se një vit më parë. Rritja më e madhe e pagave u regjistrua në sektorin e ndërtimit, ndërsa sipas profesioneve, zejtarët, artizanët dhe profesionet e lidhura me to kanë përfituar rritjen më të lartë.



