Shqipëria po përshpejton transformimin digjital të shërbimeve publike, njoftoi kryeministri Edi Rama. Ai bëri të ditur se vendi ka arritur një tjetër rekord në fushën e revolucionit digjital, me 10 shërbime kadastrale tashmë të automatizuara përmes teknologjisë “blockchain”.
Përmes platformës e-Albania, qytetarët mund të kryejnë pagesa online direkt nga karta bankare, duke e bërë procesin më të shpejtë dhe më të thjeshtë. Ky zhvillim synon të reduktojë kohën e pritjes dhe të rrisë transparencën në ofrimin e shërbimeve publike.
Rama theksoi se deri në fund të vitit të ardhshëm, Shqipëria do të kalojë plotësisht në një kadastër dixhitale, një hap që pritet të rrisë ndjeshëm shpejtësinë dhe cilësinë e shërbimeve kadastrale për qytetarët dhe bizneset.
“Transformimi digjital nuk është vetëm një përmirësim teknik, por një mënyrë për të sjellë efikasitet dhe transparencë më të madhe në shërbimet publike,” u shpreh Rama.



