Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq pesë persona, mes të cilëve kryeinspektorin dhe inspektorët e Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit (IVMT) Sarandë, për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Ndërtim i paligjshëm”.
Hetimet kanë zbuluar ndërtime të paligjshme në zonën e Ksamilit, në vendin e quajtur “Kanali i Vivarit”, pa leje nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit dhe pa kontratë me Agjencinë Kombëtare të Bregdetit. Kanali i Vivarit bën pjesë në Parkun Kombëtar “Butrint” dhe ka statusin e Monumentit të Natyrës, sipas vendimit nr. 303 datë 10.05.2019, i përditësuar me VKM nr. 187 datë 25.03.2021.
Sipas prokurorisë, punonjësit e IVMT-së nuk kanë ndjekur procedurat ligjore për konstatimin e plotë të punimeve dhe marrjen e masës administrative “dënim me gjobë”.
Në gjyq janë dërguar:
R.P., për “Ndërtim të paligjshëm”, “Pushtim të tokës”, “Shpërdorim të tokës” dhe “Dëmtim të habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore”.
Personi juridik “Laguna Invest”, për “Ndërtim të paligjshëm” dhe “Pushtim të tokës”.
Inspektorët E.Z., B.K. dhe V.X., të IVMT-së Sarandë, akuzuar për “Shpërdorim detyre”.
A.M., kryeinspektor i IVMT-së Sarandë, akuzuar po ashtu për “Shpërdorim detyre”.
Kjo masë vjen pas hetimeve të kryera për veprimtarinë e paligjshme ndërtimore në një zonë të mbrojtur natyrore, e cila ka rëndësi ekologjike dhe turistike për rajonin e Sarandës.



