back to top
5.5 C
Tirana
E shtunë, 27 Dhjetor, 2025
spot_img
KreuAktualitetTabaku: Dosjet e SPAK tregojnë se korrupsioni është i përhapur në Shqipëri

Tabaku: Dosjet e SPAK tregojnë se korrupsioni është i përhapur në Shqipëri

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku,ka kritikuar qeverinë e kryeministrit Edi Rama pas hetimeve të SPAK-ut për zëvendëskryeministren Belinda Balluku dhe tenderat në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Sipas saj, dosjet e fundit tregojnë se qeveria aktuale ka ndërtuar një sistem të gjerë të korruptuar dhe nuk ka më legjitimitet për të drejtuar vendin.

“Një sistem i cili duhet rrëzuar sepse sot qeveria me atë që është ekspozuar nuk ka më as legjitimitet, nuk ka më as kartën morale, nuk i ka më as numrat. Sepse ashtu siç e pamë, të gjitha këto fonde, të gjitha këto biznese, të gjitha këto që kanë ndodhur kanë qenë në shërbim të marrjes së zgjedhjeve”, tha Tabaku, në një intervistë për Vizion Plus.

Deputetja theksoi se dosja e SPAK-ut për tenderat e AKSHI-t është veçanërisht shqetësuese, pasi përfshin një grup të strukturuar kriminal që ka përdorur të dhëna sensitive, përfshirë të dhënat e biznesit, dosjet hetimore dhe të dhënat e gjendjes civile.

“Biznese që dalin nga zero marrin tendera publikë dhe pagesa të mëdha; 30 milionë euro në 9 muaj. Nuk besoj që ka ndonjë biznes tjetër në Shqipëri që ka marrë kaq shumë para nga fondet publike në një periudhë kaq të shkurtër,” tha Tabaku, duke sjellë si shembull një biznes të hapur në shtator që deri në janar ka realizuar 2.5 milionë euro fitime.

Sipas saj, një e treta e vlerës së tenderave shkon si “taksë korrupsioni” për zyrtarë, përfshirë ish-zëvendëskryeministren, administratën dhe menaxherët e fondeve publike.

Tabaku shpjegon gjithashtu se dosjet e SPAK-ut faktojnë se korrupsioni është i përhapur gjerësisht në Shqipëri dhe nuk janë raste të izoluara, duke përfshirë edhe kryetarin e bashkisë së Tiranës, Arben Ahmetajn, tenderat e inceneratorëve, ato në shëndetësi dhe lidhjet me Ilir Beqajn.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat