back to top
14.5 C
Tirana
E premte, 16 Janar, 2026
spot_img
KreuOpinion dhe AnalizëMilionerët e PD-së shkatërruan protestën e qytetarëve

Milionerët e PD-së shkatërruan protestën e qytetarëve

Etleva Skonja

Përmbytjet e fundit në Durrës nuk zbuluan vetëm dështimin e infrastrukturës dhe paaftësinë e institucioneve vendore për të menaxhuar emergjencat, por nxorën në pah edhe një realitet më të errët: përdorimin e fatkeqësisë së qytetarëve si mjet politik, manipulimin e protestave dhe përpjekjen e hapur të Bashkisë për t’u larë nga përgjegjësia, edhe përballë një jete të humbur.

Protesta e qytetarëve, që në thelb duhet të ishte një thirrje e pastër për drejtësi, llogaridhënie dhe dinjitet, u shndërrua shpejt në një skenë politike të uzurpuar nga eksponentë dhe deputetë të Partisë Demokratike. Persona që prej vitesh gëzojnë pasuri të shumta, llogari bankare të mbushura dhe disa prona, sot shfaqen si “zëri i të përmbyturve”, duke u hequr sikur u dhemb fati i qytetarëve që kanë humbur shtëpitë dhe bizneset.

Pikërisht për shkak të pranisë së tyre, pjesa më e madhe e qytetarëve refuzon të dalë në protestë. Banorë që kanë humbur gjithçka nga përmbytjet zgjedhin të qëndrojnë larg, sepse nuk duan që dhimbja e tyre të shërbejë si dekor për pazare politike dhe interesa partiake. Kështu, protesta humb kuptimin e saj qytetar dhe kthehet në një shfaqje hipokrizie, ku fjalimet zëvendësojnë veprimin dhe akuzat selektive fshehin përgjegjësitë reale.

Ndërkohë, mbi qytetin rëndon një lajm i kobshëm: humbja e jetës së një punonjësi të Ndërmarrjes Komunale Plazh, një njeri që nuk doli për kamera, por për të bërë detyrën e tij në kushte ekstreme. Në vend që kjo tragjedi të shërbente si moment reflektimi dhe përgjegjësie institucionale, Bashkia e Durrësit zgjodhi rrugën më të ulët morale – mohimin.

Pa asnjë ndjeshmëri njerëzore, pa asnjë mesazh ngushëllimi për familjen e viktimës, Bashkia nxitoi të deklarojë se punonjësi kishte humbur jetën “jashtë orarit të punës”. Një deklaratë e ftohtë, cinike dhe thellësisht fyese, që synonte vetëm një gjë: të shpëtonte institucionin nga përgjegjësia ligjore dhe morale.

Për kryetaren e Bashkisë, Emirjana Sako, qytetarët duket se janë thjesht shifra, statistika në raporte, numra që përdoren ose fshihen sipas interesit. Jeta e humbur u trajtua si një detaj teknik, jo si pasojë direkte e një situate emergjente të keqmenaxhuar.

Kjo deklaratë jo vetëm që ngjalli zemërim, por ngriti edhe dyshime serioze se Bashkia po gënjen publikisht. Në një kohë kur dihet se ndërmarrjet e varura nga Bashkia, përfshirë shërbimin zjarrfikës dhe strukturat e kanalizimeve, kanë punuar pa orar për të përballuar përmbytjet, pretendimi se një punonjës ndodhej “jashtë detyre” tingëllon si një justifikim i fabrikuar.

E vërteta, megjithatë, nuk vonoi të dalë në dritë. Prokuroria e Durrësit përgenjeshtroi zyrtarisht Bashkinë, duke konfirmuar se punonjësi ka humbur jetën gjatë kryerjes së detyrës. Sipas njoftimit zyrtar, nga të dhënat paraprake rezulton se shtetasi A.H., punonjës i Ndërmarrjes Komunale Plazh, kishte shkuar në zonë për të verifikuar situatën e krijuar nga reshjet intensive dhe vërshimet e ujit, kur dyshohet se është marrë nga rrjedha e fuqishme e ujit dhe ka humbur jetën.

Ky përgenjeshtrim ekspozon jo vetëm një gënjeshtër institucionale, por edhe një kulturë të rrezikshme mosndëshkimi, ku pushteti lokal tenton të shpëtojë veten duke sakrifikuar të vërtetën dhe dinjitetin njerëzor.

Sot, qytetarët e Durrësit ndihen të braktisur nga të gjitha anët. Nga një Bashki që shmang përgjegjësinë, nga një opozitë që përdor fatkeqësinë si trampolinë politike dhe nga një sistem që reagon vetëm kur ndërhyn prokuroria. Ata nuk kërkojnë teatër politik, por llogari konkrete. Nuk kërkojnë deklarata, por përgjegjësi. Nuk janë numra, por njerëz që kanë humbur shtëpi, biznese dhe, në rastin më tragjik, edhe jetë.

Dhe për aq kohë sa përmbytjet trajtohen si statistikë, protestat si skenografi politike dhe vdekjet si “jashtë orarit”, drejtësia për qytetarët do të mbetet po aq e përmbytur sa rrugët e Durrësit.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat