back to top
7.5 C
Tirana
E martë, 3 Mars, 2026
spot_img
KreuAktualitetPse Kuvendi e konsideron antikushtetues pezullimin e Ballukut

Pse Kuvendi e konsideron antikushtetues pezullimin e Ballukut

Kuvendi i Shqipërisë, përmes Drejtores së Përgjithshme Juridike, Mimoza Arbi, ka deklaruar në Gjykatën Kushtetuese se vendimi për pezullimin nga detyra dhe bllokimin e pasaportës së zëvendëskryeministres Belinda Balluku është në shkelje të drejtpërdrejtë të Kushtetutës.

Gjatë seancës në Gjykatën Kushtetuese për çështjen Balluku, Arbi argumentoi se, sipas dispozitave kushtetuese, deputetët gëzojnë imunitet dhe nuk mund të pengohen, arrestohen apo ndiqen penalisht pa miratimin e Kuvendit. Sipas saj, çdo ndjekje penale ndaj një deputeti mund të kryhet vetëm me pëlqimin e Kuvendit të Shqipërisë.

Ajo theksoi se Kushtetuta, në pikën 3 të nenit 103, garanton funksionimin e pushtetit ekzekutiv, duke siguruar që ministrat, të cilët njëkohësisht janë edhe deputetë, të gëzojnë të njëjtat garanci kushtetuese që burojnë nga imuniteti parlamentar. Në të njëjtën linjë, Arbi iu referua edhe nenit 73 të Kushtetutës, i cili parashikon se deputeti nuk mund të arrestohet dhe ndaj tij nuk mund të ushtrohet kontroll paraprak pa autorizimin e Kuvendit.

Sipas Drejtores Juridike të Kuvendit, vendimet për pezullimin nga detyra dhe bllokimin e pasaportës së zëvendëskryeministres janë marrë në kundërshtim me këto parime themelore kushtetuese.

“Pezullimi nga detyra dhe bllokimi i pasaportës për zëvendëskryeministren, Kuvendi i vlerëson si veprime në shkelje të Kushtetutës. Neni 22 parashikon se deputeti i Kuvendit gëzon imunitet dhe nuk mund të pengohet, arrestohet apo ndiqet penalisht pa miratimin e Kuvendit. Ndjekja penale bëhet vetëm me pëlqimin e Kuvendit.

Në pikën 3 të nenit 103 të Kushtetutës kemi një dispozitë themelore që garanton pushtetin ekzekutiv. Kur ministrat gëzojnë imunitet si deputetë, ky imunitet është i barabartë dhe përbën një garanci kushtetuese. Po ashtu, neni 73 i Kushtetutës parashikon se deputeti nuk mund të arrestohet dhe ndaj tij nuk mund të ushtrohet kontroll paraprak”, u shpreh Arbi para trupës gjykuese.

Gjykata Kushtetuese pritet të vlerësojë argumentet e paraqitura nga Kuvendi, Kryeministria dhe palët e tjera të përfshira në këtë proces, në një çështje që ka ngritur debat të fortë institucional mbi kufijtë e imunitetit parlamentar dhe raportin mes pushtetit gjyqësor dhe atij ekzekutiv.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat