Prokurorja e SPAK, Dorina Bejko, theksoi se qëndrimi i Belinda Ballukut në detyrën e zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, ndërkohë që është marrë e pandehur, përbën një rrezik potencial.
Deklarata u bë gjatë seancës publike në Gjykatën Kushtetuese, ku po shqyrtohet ankimimi i qeverisë kundër vendimit të GJKKO për pezullimin e Ballukut nga detyra.
Prokurorja Bejko u shpreh se ekziston mundësia që Balluku të prishë prova ose të kryejë vepra të tjera penale. Ajo përmendi se përfaqësuesi i Kryeministrit kishte bërë të ditur se Balluku kishte propozuar 50 akte, që sipas prokurorisë mund të tregojë një veprimtari në kundërshtim me ligjin.
“Hetimi është dinamik. Vazhdimi i saj në një sektor të fuqishëm si infrastruktura dhe energjitika krijon rrezik që të kryejë vepra penale të të njëjtës natyrë dhe të helmojë provat. Në vlerësimin makro, fakti që ajo ka vazhduar të ushtrojë detyrën e ministres dhe zv.kryeministres tregon se ekziston një rrezik konkret për interesin publik”, deklaroi Bejko.
Prokurorja shtoi se veprimtaria e Ballukut, duke propozuar aktet në fjalë, ka cenuar interesin publik, duke e bërë të nevojshme masën e pezullimit për të siguruar vijimin e hetimit penal dhe ruajtjen e integritetit të provave.



