Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar këtë të enjte, me 110 vota pro, projektligjin për aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes, duke shënuar një nga rastet e rralla të konsensusit mes mazhorancës dhe opozitës, pavarësisht debateve dhe tensioneve që shoqëruan seancën plenare.
Përfaqësuesit e opozitës u shprehën se ishin në parim pro pjesëmarrjes së Shqipërisë në Bordin e Paqes, por kundërshtuan përfshirjen e emrit të kryeministrit Edi Rama në marrëveshje. Për këtë arsye, deputeti Gazment Bardhi paraqiti tre amendime, të cilat u rrëzuan në votim me 78 vota pro nga mazhoranca.
Projektligji ishte miratuar një ditë më parë nga Këshilli i Ministrave, pas ftesës së drejtpërdrejtë të presidentit amerikan Donald Trump, i cili ka ndërmarrë iniciativën për krijimin e Bordit të Paqes.
Presidenti Trump ka bërë të ditur se Bordi i Paqes do të ketë si mision mbikëqyrjen e zbatimit të një plani 20-pikësh për Gazën, me synim arritjen e paqes mes Izraelit dhe Palestinës, por pa u kufizuar vetëm në këtë konflikt.
Bordi i Paqes u themelua zyrtarisht sot në Davos, në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror. Megjithatë, disa vende perëndimore kanë refuzuar deri më tani pjesëmarrjen në këtë strukturë ndërkombëtare.
Me këtë vendim, Shqipëria pozicionohet si një nga vendet që i bashkohet nismës amerikane për promovimin e paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar.



