back to top
13.5 C
Tirana
E hënë, 16 Shkurt, 2026
spot_img
KreuDrejtësiaAtentati që zbardhi AMP/ Prokuroria konfirmon skandalin

Atentati që zbardhi AMP/ Prokuroria konfirmon skandalin

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë ka kërkuar caktimin e masës së sigurisë “Ndalim i daljes jashtë shtetit” dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre apo shërbimi publik” për shtetasin G.S., drejtor në Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, i cili është nën hetim për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i Kodi Penal i Shqipërisë.

Hetimet nisën pas kallëzimit të bërë nga vetë Agjencia e Mbikëqyrjes Policore lidhur me punësimin në shkelje të ligjit të shtetasit Muci Shaljani, i cili më pas humbi jetën në një ngjarje të ndodhur në rrethrrotullimin e Rinasit, i qëlluar me armë zjarri së bashku me shtetasin Gilmando Dani.

Sipas prokurorisë, shtetasi Muci Shaljani ishte punësuar prej rreth dy muajsh si ndihmëspecialist në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale të AMP-së. Dokumentacioni i paraqitur nga Muci Shaljani rezultoi i falsifikuar, pasi AMP nuk e kishte pajisur me dokumente të tilla. Kërkesa për punësim u bë më 09.09.2025, ndërsa pranimi i tij u formalizua më 15.09.2025, përmes një urdhri që, sipas prokurorisë, ishte në kundërshtim me ligjin “Për Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore” dhe Rregulloren e miratuar me VKM Nr.532, datë 29.07.2022.

Ligji dhe rregullorja përcaktojnë qartë se rekrutimi i punonjësve të AMP-së duhet të bëhet përmes konkurimit publik, shpalljes së vendeve vakante, krijimit të komisioneve përkatëse, testimit, verifikimit përfundimtar dhe periudhës së provës.

Drejtori i Drejtorisë Financës dhe Shërbimeve Mbështetëse, G.S., ka deklaruar se ai ka nënshkruar urdhrin për pranimin e Muci Shaljani vetëm për aspektin formal, duke pretenduar se nuk ka ndërhyrë në përmbajtjen e dokumentit. Sipas prokurorisë, ai ka lejuar punësimin me motivacionin “pranohet me kontratë të përkohshme dhe për nevoja emergjente”, duke shkelur elementet e ligjit organik Nr.128/2021 dhe Rregulloren e AMP-së.

Hetimet kanë konstatuar se Muci Shaljani nuk ka kaluar asnjë nga fazat ligjore të vlerësimit, përfshirë testimet dhe verifikimet përfundimtare, dhe se ai ka marrë pagë nga 16.09.2025 deri më 11.11.2025, pa u paraqitur ndonjëherë në punë apo zhvilluar detyra konkrete.

Prokuroria e Tiranës vlerëson se veprimet dhe mosveprimet e G.S. përbëjnë shkelje të qartë të detyrës zyrtare dhe kanë konsumuar elementet e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, duke justifikuar masat e sigurisë të kërkuara ndaj tij.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat