Policia e Shtetit ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me personat e ndaluar gjatë incidenteve të regjistruara në protestën e opozitës të zhvilluar një ditë më parë. Sipas policisë, janë identifikuar gjithsej 46 shtetas, nga të cilët 18 janë arrestuar në flagrancë dhe 28 të tjerë janë proceduar penalisht.
Autoritetet bëjnë me dije se gjatë tubimit një grup protestuesish kanë kundërshtuar punonjësit e policisë, si dhe kanë hedhur sende të forta, lëndë piroteknike dhe shishe molotov në drejtim të efektivëve dhe institucioneve shtetërore. Në çantat e disa prej të ndaluarve janë gjetur gjithashtu molotovë, ndërsa janë sekuestruar 25 të tilla të pashpërthyera, 27 telefona celularë dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Policia thekson se mes të arrestuarve ndodhen edhe tre të mitur.
Ndërkohë, materialet janë referuar në Prokurori dhe ka nisur procedimi në gjendje të lirë edhe për deputetin Klevis Balliu, i cili akuzohet për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”.
Sipas njoftimit zyrtar, strukturat e Policisë së Tiranës vijojnë punën për identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.



