Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, është paraqitur këtë të mërkurë në Gjykatën e Posaçme (GJKKO), pas një padie të ngritur ndaj tij nga një biznesmen nga Lushnja, në lidhje me një konflikt pronësie.
Para hyrjes në ambientet e gjykatës, Braçe nuk i kurseu batutat me gazetarët, duke ironizuar situatën. “Eh sa e bukur kjo! A kanë mbaruar ato gjyqet e tjera se mos kam ardhur kot?”, u shpreh ai, ndërsa mbante në duar një dosje.
Padia ndaj tij është bërë nga biznesmeni Anduel Çekrezi dhe lidhet me një konflikt të hershëm pronësie në zonën e Imshtës, në Lushnje. Çështja ka në qendër pretendimet për zaptimin e tokave të banorëve për ndërtimin e një parku fotovoltaik.
Konflikti mes palëve ka disa vite që vijon dhe është shoqëruar edhe me përplasje publike dhe akuza të ndërsjella. Sipas biznesmenit, toka është në pronësi të tij dhe është përfituar në mënyrë të rregullt, ndërsa Braçe këmbëngul se bëhet fjalë për tokë publike, duke pretenduar madje se është privatizuar edhe një pjesë e lumit.
Çështja tashmë ka marrë rrugën ligjore dhe pritet të shqyrtohet nga organet e drejtësisë. Ajo u rikthye në vëmendje pas denoncimeve publike të deputetit, i cili ka ngritur shqetësime për marrjen e tokave pranë lumit Seman në mënyrë të paligjshme për interesa private.
Nga ana tjetër, biznesmeni kundërshton këto akuza dhe i është drejtuar drejtësisë për të vërtetuar ligjshmërinë e pronësisë së tij.



