Një debat i ri është hapur brenda Partisë Demokratike, ndërsa një interpretim i Statutit, i njohur si “neni Basha”, pritet të ndikojë në garën për drejtimin e partisë në zgjedhjet e 23 majit 2026.
Nënkryetarja e Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Alesia Balliu, i është drejtuar Kryesisë së PD me një shkresë zyrtare, ku pretendon se mandati i kryetarit aktual, Sali Berisha, ka përfunduar pas humbjes së zgjedhjeve të 11 majit 2025. Sipas saj, që prej 9 shtatorit 2025, Berisha ushtron detyrën pa mandat.
Në argumentimin e saj, Balliu i referohet nenit 46 të Statutit të PD-së, i njohur ndryshe si “neni Basha”, i cili parashikon procedurat që ndiqen pas humbjes së zgjedhjeve. Ajo thekson se, në këtë situatë, drejtimi i përkohshëm i partisë duhet t’i kalojë Sekretarit të Përgjithshëm, Flamur Noka, deri në zgjedhjen e një kryetari të ri.
Një nga pikat më të forta të shkresës lidhet me kërkesën për ndalimin e kandidimit të Sali Berishës në zgjedhjet e ardhshme për kryetar të PD-së. Sipas Balliut, vendimet e marra nga Berisha pas datës 4 shtator 2025 janë të pavlefshme, pasi, sipas saj, ai nuk ka qenë më në funksion të rregullt si kryetar.
Ajo argumenton se kjo datë lidhet me hyrjen në fuqi të vendimeve të organeve zgjedhore dhe rregullatore, të cilat, sipas saj, janë njohur edhe nga vetë Partia Demokratike.
Në përfundim të shkresës, Balliu kërkon mbledhjen e menjëhershme të Kryesisë dhe zbatimin e plotë të dispozitave statutore, duke theksuar se duhet respektuar vullneti i delegatëve dhe anëtarësisë së partisë për mënyrën e funksionimit të saj.

Kjo lëvizje pritet të shtojë tensionet brenda Partisë Demokratike, ndërsa afrohet procesi për zgjedhjen e drejtuesit të ri të saj.



