Studentë të Akademisë së Sigurisë janë paraqitur mbrëmjen e djeshme, më 6 maj 2026, në shërbimin e Urgjencës pranë Spitalit Infektiv në QSUT, me dyshime për helmim ushqimor pas konsumimit të ushqimit në ambientet e akademisë.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë, menjëherë pas mbërritjes së studentëve në spital, ekipet mjekësore kryen vlerësimin dhe trajtimin e nevojshëm për secilin rast. Shërbimi Infektiv, Urgjenca Polivalente në QSUT dhe Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore kaluan në gjendje gatishmërie, duke shtuar stafin dhe siguruar barnat e nevojshme.
Autoritetet shëndetësore bënë me dije se studentët iu nënshtruan edhe ekzaminimeve laboratorike për të identifikuar shkakun e helmimit. Pas marrjes së ndihmës mjekësore, të gjithë studentët u larguan nga spitali në gjendje të mirë shëndetësore.
Ndërkohë, Policia e Shtetit njoftoi se në total janë paraqitur për ndihmë mjekësore 56 studentë të Akademisë së Sigurisë. Në vijim të hetimeve të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, specialistët e Komisariatit Nr. 1 arrestuan në flagrancë shtetasit K. B., 52 vjeç, me detyrë kuzhinier, dhe K. P., 23 vjeçe, teknologe ushqimi në kompaninë e kontraktuar për furnizimin me ushqim në akademi.
Po ashtu, materialet iu referuan Prokurorisë për procedim në gjendje të lirë ndaj shtetases R. Ç., 35 vjeçe, po me detyrë teknologe ushqimi, ndërsa është shpallur në kërkim administratorja e kompanisë, shtetasja A. T., 52 vjeçe.
Sipas policisë, hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rastit dhe identifikimin e përgjegjësive penale të personave të përfshirë. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprën penale “Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”.



