Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka ngritur kritika të forta ndaj institucioneve qeveritare gjatë fjalës së tij në Kuvend, duke denoncuar mungesën e përgjigjeve ndaj kërkesave të tij për informacion dhe refuzimin e interpelancave nga disa ministra.
Braçe deklaroi se prej kohësh ka depozituar kërkesa për informacion pranë Ministrisë së Brendshme, Bashkisë së Tiranës dhe disa agjencive shtetërore, por sipas tij, afatet kanë skaduar pa marrë përgjigje.
Ai zbuloi gjithashtu se ministri i Bujqësisë, Andis Salla, i ka refuzuar kërkesën për interpelancë.
“Kam marrë përgjigje dhe nga ministri i Bujqësisë që thotë: ‘Nuk dua të bëj interpelancë me ty’. Ministria e Bujqësisë ngarkohet me problematikën për të cilën kam kërkuar informacion”, tha Braçe nga foltorja e Kuvendit.
Deputeti socialist u ndal edhe te problematika e kafshëve shoqëruese të braktisura, duke theksuar se institucionet ia kalojnë përgjegjësinë njëra-tjetrës.
“Kam kërkuar informacion për kafshët shoqëruese të braktisura. Agjencia thotë se kam kompetencë dhe ministria thotë se s’kam kompetencë”, deklaroi ai.
Në fund të fjalës së tij, Braçe tha se e kupton që ka njerëz në qeveri që nuk duan të bëjnë punën e tyre, por shtoi se ai do të vazhdojë të bëjë detyrën si deputet.
“Nëse kjo histori vazhdon kështu, që 7 kërkesave nuk u jepet informacion, atëherë na thoni. Mos bëni më kërkesa”, përfundoi Braçe.



