Babai i të shumëkërkuarit të zhdukur Ervis Martinaj, Mustafa Martinaj, është paraqitur për herë të dytë në ambientet e Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në kuadër të procesit gjyqësor që lidhet me pronat e djalit të tij.
Seanca u shty sërish për shkak të mungesës së dy avokatëve, ndërsa pas përfundimit të saj Mustafa Martinaj dha një deklaratë për mediat lidhur me hetimet për zhdukjen e të birit.
Ai akuzoi autoritetet se nuk kanë interes për zbardhjen e çështjes së Ervis Martinajt, duke pretenduar se u ka vënë në dispozicion informacione konkrete.
“Nuk duan ta zbardhin, prandaj e lënë në Kurbin, pasi ua kam dhënë koordinatat e sakta dhe emra konkretë,” deklaroi Mustafa Martinaj para gazetarëve.
Sipas tij, në moszbardhjen e ngjarjes janë të përfshirë edhe ish-drejtues të policisë kriminale ndër vite.
“I kam thënë të gjitha në SPAK kur erdha dëshmova me kërkesën time. Askush nuk është interesuar që atëherë,” u shpreh ai.
Zhdukja e Ervis Martinajt mbetet një nga çështjet më të diskutuara kriminale në Shqipëri, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë ende një version përfundimtar mbi fatin e tij.



