Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit (IKMT) ka reaguar zyrtarisht pas raportimeve mediatike mbi problematika të mundshme në qëndrueshmërinë e dy objekteve të projektit zhvillimor “Durrës Marina”, duke konfirmuar se janë evidentuar ulje në strukturat në ndërtim dhe janë kërkuar masa të menjëhershme përforcimi.
Në një njoftim për mediat, IKMT bën të ditur se në zbatim të detyrave ligjore është ngritur një grup i posaçëm inspektimi për verifikimin e situatës në terren. Grupi përbëhej nga inspektorë të IKMT-së, përfaqësues të Agjencia e Zhvillimit të Territorit, inspektorë të IMT-së së Bashkisë Durrës, si dhe specialistë të Instituti i Ndërtimit.
Çfarë u verifikua në terren
Inspektimi është kryer në lidhje me zbatimin e lejes së ndërtimit për dy godina banimi dhe shërbimi në zonat e menaxhimit A02 dhe A04 të projektit “Durrës Marina”, aktualisht në fazë punimesh për sistemimet e jashtme.
Sipas IKMT, objektet janë miratuar me leje ndërtimi për ndërtesa me disa kate mbi tokë dhe një kat parkimi nëntokë.
Konstatimet teknike
Në përfundim të kontrollit, raporti topografik i Institutit të Ndërtimit ka konstatuar:
- Objekti 02 ka pësuar ulje prej 28 cm
- Objekti 04 ka pësuar ulje prej 18 cm
IKMT thekson se këto gjetje kërkojnë ndërhyrje teknike të menjëhershme për garantimin e stabilitetit të strukturave.
Masa të kërkuara ndaj kompanisë zbatuese
Pas konstatimeve, IKMT i është drejtuar zyrtarisht kompanisë ndërtuese, duke kërkuar:
- Hartimin dhe zbatimin e projektit të përforcimeve strukturore
- Marrjen e masave të menjëhershme teknike në kantier
- Miratimin paraprak të projektit nga autoritetet përgjegjëse ligjore
Sipas institucionit, këto masa janë të domosdoshme për të garantuar respektimin e kushteve teknike të ndërtimit dhe sigurinë e objektit.
IKMT thekson se do të vijojë monitorimin e situatës në bashkëpunim me institucionet e tjera shtetërore dhe mbetet e angazhuar për zbatimin e ligjshmërisë në kantieret e ndërtimit në vend.
Institucioni falënderon gjithashtu median për vëmendjen dhe kontributin në evidentimin e çështjes.



