Policia e Shtetit ka finalizuar operacionin e koduar “Posta e Rreme 2”, duke goditur një tjetër skemë mashtrimi kompjuterik që funksiononte përmes faqeve të falsifikuara që imitonin Postën Shqiptare.
Operacioni u zhvillua nga strukturat për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Sarandë, pas hetimeve mbi aktivitetin kriminal në fushën e krimit kibernetik.
Sipas policisë, shtetas të huaj kishin krijuar faqe të rreme dhe dërgonin SMS me linqe mashtruese, me qëllim marrjen e të dhënave personale dhe bankare të qytetarëve shqiptarë. Përmes kësaj skeme synohej përfitimi i paligjshëm i parave nga llogaritë bankare të viktimave.
Në kuadër të operacionit është ndaluar një shtetas francez 22 vjeç, ndërsa është shpallur në kërkim një shtetas gjerman 53 vjeç, i dyshuar si bashkëpunëtor.
Gjatë aksionit janë sekuestruar celularë, karta SIM, karta bankare dhe dokumente të ndryshme që dyshohet se lidhen me veprimtarinë kriminale.
Materialet i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Sarandës për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Falsifikimi kompjuterik”.
Policia u ka bërë apel qytetarëve që të mos klikojnë linqe të dyshimta dhe të mos japin të dhëna personale apo bankare në faqe të paverifikuara, si dhe të raportojnë rastet e dyshuara të mashtrimeve online.



