back to top
27.5 C
Tirana
E shtunë, 30 Maj, 2026
spot_img
KreuAktualitetEkonomiaUltimatumi 30-ditor për Aeroportin e Vlorë/ Pacolli kundërpërgjigjet me kushte

Ultimatumi 30-ditor për Aeroportin e Vlorë/ Pacolli kundërpërgjigjet me kushte

Shoqëria MABCO Constructions S.A. ka reaguar pas ultimatumit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për zgjidhjen brenda 30 ditësh të konfliktit mes ortakëve të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, duke deklaruar se është e gatshme të marrë pjesë në çdo proces dialogu apo ndërmjetësimi, por duke theksuar se çdo diskutim duhet të mbështetet mbi vendimin e fundit të Gjykatës së Lartë.

Në një deklaratë publike, kompania shprehet se mirëpret çdo iniciativë institucionale që synon rikthimin e normalitetit në funksionimin e shoqërisë koncesionare dhe përfundimin e projektit të aeroportit, të cilin e konsideron me rëndësi strategjike për vendin.

Sipas MABCO-s, vendimi i fundit i Gjykatës së Lartë ka rrëzuar masat e sigurimit që kufizonin ushtrimin e të drejtave të saj si ortak mazhoritar në shoqërinë koncesionare “Vlora International Airport” (VIA), duke rikthyer situatën juridike sipas strukturës aktuale të pronësisë.

“MABCO mbetet ortaku mazhoritar i VIA-s me 98% të kuotave, sipas të dhënave të regjistruara dhe të vlefshme ligjërisht. Ky status duhet të përbëjë bazën mbi të cilën të ndërtohet çdo proces institucional apo negociues”, thuhet në deklaratë.

Kompania deklaron se ka ngritur vazhdimisht shqetësime pranë institucioneve shtetërore gjatë periudhës tetor 2025 – maj 2026 lidhur me kufizimin e ushtrimit të të drejtave të saj, duke paralajmëruar se kjo situatë mund të ndikonte negativisht në ecurinë e projektit.

Në reagimin e saj, MABCO shpreh gatishmërinë për t’u përfshirë në çdo proces dialogu, koordinimi apo ndërmjetësimi të iniciuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, por vendos disa kushte që i konsideron themelore.

Mes tyre përfshihen respektimi i plotë i vendimit të Gjykatës së Lartë, garantimi i aksesit të pakufizuar të përfaqësuesve, specialistëve, punonjësve dhe nënkontraktorëve në kantier, si dhe mundësimi i aksesit në informacionin teknik, administrativ dhe financiar të projektit.

Kompania njofton gjithashtu se ka nisur hapat për rikthimin e normalitetit korporativ në VIA, duke thirrur organet vendimmarrëse të shoqërisë në përputhje me statutin dhe legjislacionin shqiptar.

Reagimi i MABCO vjen një ditë pasi Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë u kërkoi zyrtarisht MABCO-s dhe 2A Group të nisin një proces të përbashkët për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, duke paralajmëruar se në rast dështimi të dialogut brenda 30 ditëve, shteti do të ushtrojë të gjitha të drejtat që i njeh kontrata e koncesionit dhe legjislacioni në fuqi për mbrojtjen e interesit publik.

Në fund të deklaratës, MABCO thekson se mbetet e përkushtuar ndaj përfundimit, testimit, certifikimit dhe vënies në operim të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, ndërsa rezervon të gjitha të drejtat që burojnë nga kontrata e koncesionit, legjislacioni shqiptar dhe instrumentet ndërkombëtare të mbrojtjes së investimeve.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat