Ish-futbollisti i Kombëtares shqiptare, Igli Tare, është marrë zyrtarisht i pandehur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Burime bëjnë me dije se ndaj ish-futbollistit është ngritur akuza për pastrim parash. Akuza iu komunikua paraditen e kësaj të enjteje, 4 qershor, pasi ai u paraqit në ambientet e SPAK, në përgjigje të fletëthirrjeve të dërguara nga organi i akuzës.
Mësohet se Tare është thirrur në Prokurorinë e Posaçme në kuadër të hetimeve që lidhen me ish-zëvendëskryeministren dhe ish-ministren Belinda Balluku.
Kujtojmë se Belinda Balluku është marrë më herët e pandehur për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera, lidhur me procedurat për tunelin e Llogarasë, ndërsa paralelisht po hetohet edhe për lotet e projektit të Unazës së Madhe.
Po ashtu, SPAK ka nisur edhe një hetim pasuror ndaj ish-ministres, pjesë e verifikimeve më të gjera që po zhvillohen nga organi i posaçëm i akuzës.



