KreuAktualitetKronikëSi u organizua aksioni në Lozhan?/ Dalin detaje të reja për operacionin...

Si u organizua aksioni në Lozhan?/ Dalin detaje të reja për operacionin që përfundoi në tragjedi

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ngjarja e rëndë në Maliq, ku gjatë një operacioni për kapjen e një personi në kërkim humbi jetën efektivi i Forcës së Posaçme “Shqiponja”, Enea Mekolli, ndërsa mbeti i plagosur një tjetër punonjës policie.

Sipas informacioneve paraprake, 43-vjeçari Violand Braçellari ishte parë një ditë më parë në zonën e fshatit Boden, ku dyshohet se kishte lëvizur lirshëm në zonë. Burime bëjnë me dije se pas marrjes së informacionit për vendndodhjen e tij, strukturat policore organizuan operacionin e mëngjesit të sotëm për lokalizimin dhe arrestimin e tij.

Të njëjtat burime bëjnë me dije se policia kishte informacione se Braçellari ishte zhvendosur drejt stanit ku mbante bagëtitë dhe ku qëndronte shpesh edhe së bashku me nënën e tij, në zonën malore të Lozhanit.

Burime pranë hetimit pretendojnë se, pavarësisht faktit që Braçellari konsiderohej person me rrezikshmëri të lartë dhe kishte shmangur disa operacione policore në të kaluarën, në aksionin e sotëm kanë marrë pjesë një numër i kufizuar efektivësh.

Sipas të dhënave paraprake, në operacion kanë qenë të angazhuar gjashtë efektivë të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, të cilët rrethuan zonën dhe i bënë thirrje të kërkuarit të dorëzohej.

Ngjarja degradoi në shkëmbim zjarri, ku mbeti i vrarë efektivi Enea Mekolli dhe u plagos polici Edison Adri, ndërsa vetë Braçellari mbeti i plagosur gjatë kundërpërgjigjes së policisë dhe u arrestua.

Ndërkohë, grupi hetimor dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore po vijojnë verifikimet për të zbardhur të gjithë dinamikën e operacionit dhe për të përcaktuar nëse janë respektuar procedurat operacionale gjatë ndërhyrjes.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat