back to top
22.8 C
Tirana
E enjte, 11 Qershor, 2026
spot_img
KreuAktualitetPolitikaLuftë e ftohtë në PS/ Spiropali sfidoi Ramën për protestat, Balla: Ajo...

Luftë e ftohtë në PS/ Spiropali sfidoi Ramën për protestat, Balla: Ajo nuk vjen në mbledhje

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka komentuar zhvillimet e fundit që lidhen me protestën që prej 11 ditësh po mbahet në Tiranë, si dhe reagimet e figurave të ndryshme të kampit socialist për këtë çështje, përfshirë edhe deklaratën e ish-ministres Elisa Spiropali.

I pyetur nga gazetarët për reagimin e Spiropalit, e cila disa ditë më parë bëri thirrje për një “marrëveshje të re për Shqipërinë” dhe ngriti kritika ndaj mënyrës së funksionimit të pushtetit, Balla u shpreh se nuk ndjek të gjitha reagimet dhe postimet e deputetëve socialistë, duke theksuar se çdo shqetësim duhet të diskutohet fillimisht brenda strukturave të partisë.

“Unë nuk ndjek postimet e gjithë deputetëve, anëtarëve të PS-së. Kushdo që ka një shqetësim, sapo kam filluar një mbledhje grupi, nuk ishte fare. Kur të vijë, le ta thotë aty, do e dëgjoj me vëmendje dhe pasi ta dëgjoj do të vij këtu dhe ta sqaroj edhe me ju. Kam një komunikim shumë të mirë me të gjithë deputetët, përfshirë edhe me kolegen Spiropali”, deklaroi Balla.

Sa i përket protestës që po zhvillohet në kryeqytet, kreu i grupit socialist tha se deri më tani nuk ekziston një përfaqësi zyrtare e protestuesve, gjë që sipas tij e bën të vështirë adresimin e kërkesave konkrete. Ai theksoi se qeveria dhe kryeministri Edi Rama kanë një mandat të qartë të marrë nga qytetarët dhe nuk mund të humbasin kohë me paqartësi.

“Kemi marrë 850 mijë vota, një rekord historik, është një kontratë e cila është firmosur me shqiptarët. Shqipëria nuk e ka luksin të humbë një projekt aq të rëndësishëm”, u shpreh Balla.

Në deklaratën e tij, ai preku edhe organizimin e samitit të ardhshëm të NATO-s në Tiranë, duke konfirmuar se presidenti amerikan Donald Trump do të jetë i mirëpritur në Shqipëri në kuadër të këtij aktiviteti.

“Trump do të jetë i mirëpritur vitin e ardhshëm kur të vijë për Samitin e NATO-s në Tiranë. Jam kundër çdo thirrjeje kundër Izraelit dhe popullit të Izraelit, jam kundër çdo forme diskriminimi. Kam dëgjuar që ka pasur një grup nismëtarësh që kanë dorëzuar disa ndryshime. Deri kur të ketë një përfaqësi zyrtare të protestës do të komentojmë edhe kërkesat e protestës”, tha Balla.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat