KreuDrejtësiaNga kokaina te vilat luksoze/ Investimet miliardëshe në Palasë, në përgjime del...

Nga kokaina te vilat luksoze/ Investimet miliardëshe në Palasë, në përgjime del dhe Samir Mane

Goditja e SPAK ndaj një grupi të dyshuar për trafik ndërkombëtar kokaine dhe pastrim parash ka nxjerrë në dritë një tjetër pistë hetimore që lidhet me investime të dyshuara në sektorin e ndërtimit në bregdetin shqiptar.

Sipas materialeve hetimore, në qendër të kësaj çështjeje janë Alfredo Hamzai dhe Luçiano Koçeku (Artur Koçeku), të cilët prokurorët i konsiderojnë persona me rol të rëndësishëm në aktivitetet e dyshuara kriminale dhe në përpjekjet për investimin e të ardhurave në Shqipëri.

Komunikimet për projektin në Palasë

Nga dosja rezulton se gjatë viteve 2020-2021 janë zhvilluar komunikime të shumta lidhur me një projekt rezidencial në zonën e Palasës. Në bisedat e administruara nga SPAK përmenden ndërtimi i vilave dhe i një hoteli, si edhe mundësia e përfshirjes së tokës në pronësi të Alfredo Hamzait në një zhvillim më të gjerë turistik.

Në një komunikim të datës 30 janar 2021, Luçiano Koçeku i shkruan Hamzait se i kishte kërkuar “Lirit” të takohej me “Zamirin” për të diskutuar mbi tokën dhe projektin e ndërtimit. Sipas analizës së SPAK, “Liri” dyshohet se i referohet biznesmenit Ilir Shtufi, ndërsa “Zamiri” biznesmenit Samir Mane.

Hetuesit thonë se fotografitë dhe materialet e shkëmbyera në biseda lidhen me prona në zonën e Palasës.

Dyshimet për një marrëveshje prej 2-3 milionë eurosh

Sipas dosjes, në komunikimet e personave nën hetim flitet për një shumë prej 2 deri në 3 milionë euro, e cila do të shërbente për përfshirjen e tokës së Hamzait në projektin rezidencial.

Në një tjetër bisedë të datës 24 shkurt 2021, Koçeku i komunikon Hamzait se kishte folur me “Lirin” dhe “Zamirin” dhe se, sipas përmbajtjes së administruar nga SPAK, kërkoheshin 3 milionë euro për përfshirjen e pronës në kompleks.

Prokurorët dyshojnë se bëhej fjalë për një zgjerim të projektit të lidhur me “Green Coast”.

Në një komunikim tjetër të cituar në dosje, Koçeku shprehet se “mund të na kërkojë 1 milion cash tjera shpia Zamiri”, element që, sipas SPAK, ngre dyshime se mund të ishte kryer më parë një pagesë dhe se po diskutohej pjesa tjetër e marrëveshjes.

Projekti i vilave dhe hotelit

Nga materialet hetimore rezulton se personat e përfshirë diskutonin për ndërtimin e rreth 30-40 vilave dhe një hoteli me 120 dhoma.

Sipas interpretimit të SPAK, skema e përfolur parashikonte që Samir Mane të përfitonte 3 milionë euro dhe të ndërtonte kompleksin, ndërsa 20 për qind e vilave do t’i kalonin Alfredo Hamzait.

Në një tjetër komunikim me Ardian Zykajn, Hamzai pretendon se marrëveshja me biznesmenin Samir Mane ishte mbyllur dhe se projekti do të lidhej me një zgjerim të mundshëm të “Green Coast 1”.

Emra të tjerë të përmendur në dosje

Në dokumentet hetimore përmenden gjithashtu Adrian Rama, Artur Shehu, Ilir Shtufi, Orest Sota dhe Ardian Zykaj.

Sipas SPAK, Artur Shehu dyshohet se ka ndihmuar në sigurimin e pronave në zonën e Palasës, ndërsa Orest Sota rezulton në komunikime me Alfredo Hamzain lidhur me projektin.

Dosja ngre dyshime se kapitalet e dyshuara kriminale mund të jenë përdorur për të hyrë në ekonominë formale përmes investimeve në sektorin e ndërtimit, veçanërisht në zonat turistike të jugut të vendit./ E Vërteta.al

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat