Mesazhet e Iranit për të rifilluar negociatat me Shtetet e Bashkuara kanë vendosur kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu përballë një situate të ndërlikuar politike dhe diplomatike, shkruan Axios.
Sipas raportit, presidenti amerikan Donald Trump ka zhvilluar një bisedë me Netanyahun për ta informuar se Uashingtoni po merret me këtë çështje. Një zyrtar amerikan i cituar nga Axios tha se Trump i ka bërë të qartë kryeministrit izraelit se “kjo është një mundësi e mirë” dhe se ka ardhur koha për t’i dhënë një shans diplomacisë.
Burime të cituara në raport bëjnë të ditur se Netanyahu ka pranuar se nuk ka mundësi ta ndalojë procesin, por ka kërkuar që interesat e Izraelit të merren në konsideratë në çdo marrëveshje të mundshme.
Sipas Axios, Izraeli kishte shqyrtuar më herët mundësinë e ndërmarrjes së operacioneve ushtarake kundër objekteve iraniane, por këto plane thuhet se janë frenuar nga administrata amerikane.
Raporti thekson se, megjithëse zyrtarët izraelitë nuk kanë shprehur kritika publike ndaj SHBA-së, në prapaskenë ekziston shqetësimi se një marrëveshje e mundshme mund t’i lejojë Iranit të ruajë pjesë të programit të tij bërthamor.
Nga ana tjetër, një marrëveshje e tillë mund të parashikojë që çdo lehtësim ekonomik për Teheranin të kushtëzohet me respektimin e angazhimeve të marra.
Në sfond mbeten edhe tensionet rajonale, përfshirë situatën në Liban dhe përplasjet me Hezbollahun, të cilat mund të ndikojnë në zhvillimet e ardhshme.
Sipas Axios, për Benjamin Netanyahun, një marrëveshje që do t’i jepte fund konfliktit pa arritur objektivat strategjikë të Izraelit do të përbënte një sfidë serioze politike dhe gjeopolitike.



