KreuAktualitetKronikëKaramele me kanabis/ Hita, shkresë Ministrisë së Arsimit: Rrezik për të miturit

Karamele me kanabis/ Hita, shkresë Ministrisë së Arsimit: Rrezik për të miturit

Policia e Shtetit ka ngritur alarmin për një formë të re të shpërndarjes së lëndëve narkotike, ku substancat me përmbajtje të lartë të THC-së, përbërësi kryesor psikoaktiv i kanabisit, po qarkullojnë në formën e produkteve ushqimore të njohura si “Edibles”.

Përmes një shkrese drejtuar ministres së Arsimit, Mirela Kumbaro, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka bërë të ditur se Njësia e Sistemit Kombëtar të Paralajmërimit të Hershëm për substancat psikoaktive ka identifikuar raste të përpunimit të kanabisit në formë xheli dhe karamelesh, të ngjashme me produktet që konsumohen zakonisht nga fëmijët.

Sipas Policisë, ngjashmëria e këtyre produkteve me ëmbëlsirat e zakonshme e bën të vështirë identifikimin vizual dhe rrit rrezikun e konsumit aksidental nga të miturit.

Autoritetet paralajmërojnë se përqendrimi i lartë i THC-së mund të shkaktojë pasoja serioze për shëndetin, duke përfshirë efekte anësore akute, çrregullime neurologjike dhe reaksione të rënda psikoaktive, veçanërisht tek fëmijët dhe grupet më të ndjeshme.

Për këtë arsye, Policia e Shtetit i ka kërkuar Ministrisë së Arsimit të shtojë ndërgjegjësimin në institucionet arsimore, si në nivel qendror ashtu edhe vendor, duke informuar stafet pedagogjike, prindërit dhe nxënësit për rrezikun që paraqesin këto produkte.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat