Komisioni i Venecias dhe Drejtoria e Përgjithshme për të Drejtat e Njeriut dhe Shtetin e së Drejtës (DGI) kanë dhënë një vlerësim pozitiv për projektligjin “Për Financimin e Partive Politike”, i cili është dërguar për shqyrtim nga Kuvendi i Shqipërisë.
Në opinionin e publikuar, ekspertët ndërkombëtarë vlerësojnë se projektligji është hartuar përmes një procesi gjithëpërfshirës, me pjesëmarrjen e mazhorancës, opozitës dhe shoqërisë civile, duke e konsideruar atë një përmirësim të ndjeshëm krahasuar me legjislacionin aktual.
Sipas Komisionit të Venecias, nisma synon të forcojë transparencën, llogaridhënien dhe integritetin në financimin e partive politike. Ndër elementet pozitive të evidentuara janë raportimi më i detajuar financiar, përdorimi i platformave elektronike, forcimi i mekanizmave të kontrollit dhe auditimit, përcaktimi më i qartë i burimeve të ndaluara të financimit, si dhe krijimi i një strukture të posaçme pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se projektligji ka nevojë për përmirësime të mëtejshme për të adresuar mangësitë e evidentuara ndër vite. Sipas tyre, dispozitat duhet të jenë më të qarta dhe më të detajuara, ndërsa aspektet teknike të rregullohen përmes akteve nënligjore.
Një nga shqetësimet kryesore të ngritura në opinion lidhet me financimin indirekt dhe të fshehtë të partive politike, përmes organizatave të lidhura me to, palëve të treta, platformave digjitale, agjencive të komunikimit, shërbimeve në natyrë apo përdorimit të burimeve publike.
Komisioni i Venecias rekomandon gjithashtu harmonizimin e rregullave për financimin e partive politike me ato të fushatave zgjedhore, forcimin e kompetencave dhe pavarësisë së KQZ-së në mbikëqyrjen e financimeve politike, si dhe rishikimin e sistemit të sanksioneve për shkeljet e ligjit.
Sipas opinionit, ndryshimet e ardhshme në Kodin Zgjedhor duhet të adresojnë çdo boshllëk të mbetur dhe të garantojnë një kuadër të plotë e të qëndrueshëm për financimin politik në Shqipëri.



