KreuDrejtësia“Dosja Aruba”/ Braho mban sekret zyrtarët e përfshirë

“Dosja Aruba”/ Braho mban sekret zyrtarët e përfshirë

Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Klodian Braho, ka deklaruar se emrat dhe të dhënat e dosjes së njohur si “Aruba” do të bëhen publike vetëm pasi të përfundojnë hetimet.

Gjatë raportimit në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, Braho iu përgjigj pyetjeve të deputetit demokrat Ivi Kaso, i cili kërkoi sqarime për pretendimet mbi takime mes zyrtarëve të lartë shqiptarë dhe personave të dyshuar si të lidhur me krimin e organizuar.

Kaso kërkoi që SPAK të bënte transparente identitetet e personave të përmendur në dosje, duke pyetur nëse institucioni kishte një detyrim për të informuar publikun lidhur me këto takime.

Në përgjigje, Braho theksoi se çështja është ende nën hetim dhe se SPAK nuk mund të publikojë të dhëna që cenojnë procesin hetimor.

“Është një çështje nën hetim. Nuk mund të ndodhë që SPAK të ketë një provë në një dosje dhe ajo të lihet aty pa u hetuar”, deklaroi Braho.

Ai shtoi se pretendimet dhe akuzat që qarkullojnë në publik nuk mund të trajtohen si fakte për sa kohë nuk janë verifikuar përmes hetimeve.

“Kur të përfundojnë hetimet, institucioni mund të bëjë transparencë. Ne nuk merremi me komentet politike, të asnjë pale”, u shpreh kreu i SPAK.

Çështja “Aruba” është bërë objekt debati politik, ndërsa opozita ka kërkuar që të zbardhen emrat e zyrtarëve që pretendohet se janë përmendur në këtë dosje. SPAK ndërkohë ka deklaruar se hetimet vijojnë dhe se çdo informacion do të bëhet publik në përputhje me procedurat ligjore.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat