Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka urdhëruar nisjen e një hetimi të thelluar administrativ lidhur me trajtimin e pacientit 52-vjeçar me inicialet A.A., nga Durrësi, pas dyshimeve mbi menaxhimin e rastit nga strukturat përgjegjëse.
Sipas njoftimit zyrtar, hetimi do të përfshijë verifikimin e plotë të procedurave dhe masave të ndërmarra nga institucionet shëndetësore, si edhe të veprimeve dhe përgjegjësive të strukturave të shërbimit social që kanë pasur rol në trajtimin e pacientit.
Në kuadër të këtij procesi, drejtuesit e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor dhe të Shërbimit Social Shtetëror janë angazhuar në terren për të kryer verifikime të drejtpërdrejta dhe për të mbikëqyrur hetimin administrativ në strukturat përkatëse në qytetin e Durrësit.
Ministria bën me dije se 52-vjeçari ndodhet aktualisht nën kujdesin e mjekëve në Spitalin Rajonal të Durrësit. Paralelisht me trajtimin e tij, po shqyrtohet i gjithë dokumentacioni shëndetësor dhe administrativ, si dhe përgjegjësitë e personave të përfshirë në menaxhimin dhe transportimin e pacientit.
Në deklaratën zyrtare, MSHMS thekson se është e angazhuar për të garantuar transparencë të plotë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe për të marrë çdo masë administrative apo ligjore që mund të rezultojë e nevojshme pas përfundimit të hetimeve.



