Emri i ish-Prokurores së Përgjithshme, Arta Marku, po përmendet sërish si një nga kandidaturat e mundshme për drejtimin e Prokurorisë së Përgjithshme, në një kohë kur ka nisur gara për zgjedhjen e kreut të ri të institucionit të akuzës.
Deri më tani nuk ka një konfirmim zyrtar për dorëzimin e kandidaturës së saj pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), por rikthimi i emrit të Markut në këtë garë ka hapur diskutime politike dhe institucionale.
Arta Marku e ka drejtuar më herët Prokurorinë e Përgjithshme me mandat të përkohshëm, pas zgjedhjes së saj në vitin 2017 nga Kuvendi, në një proces që u shoqërua me debate të forta politike dhe protesta të opozitës së kohës. Ajo u zgjodh në një periudhë kur parlamenti ishte i bllokuar nga opozita dhe jashtë dhe brenda ambjenteve të Kuvendit pati protesta me flakadanë dhe tymuese.

Në vitin 2019, Marku garoi sërish për postin e Prokurores së Përgjithshme me mandat të plotë, por nuk arriti të fitojë. Në atë garë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë renditi në vend të parë Olsian Çelën me 459 pikë, ndërsa Arta Marku u rendit e dyta me 406 pikë. Lista iu dërgua më pas Kuvendit, i cili zgjodhi Olsian Çelën si Prokuror të Përgjithshëm me mandat 7-vjeçar.
Sipas procedurës kushtetuese, pas përzgjedhjes së kandidatit nga KLP, vendimi përfundimtar merret nga Kuvendi, ku kërkohet shumica prej tre të pestave të votave.
Në kushtet aktuale politike, ku Partia Socialiste zotëron shumicën parlamentare, Arta Marku e ka të siguruar pozicionin e Prokurores së Përgjithshme dhe sipas të githa gjasave, paraprakisht dhe miratimin e KLP-së.
Megjithëse kompetencat e Prokurorit të Përgjithshëm janë kufizuar pas reformës në drejtësi, ky post vijon të ketë rëndësi për drejtimin institucional të prokurorisë, politikat e përgjithshme të ndjekjes penale dhe përfaqësimin e institucionit në marrëdhëniet kombëtare dhe ndërkombëtare.
Tashmë pritet të shihet nëse Arta Marku do të vendosë të hyjë zyrtarisht në garë dhe nëse emri i saj do të përfshihet në listën e kandidatëve që do t’i nënshtrohen vlerësimit të KLP-së.
Prokuroria e Përgjithshme/ Rovena Zoto depoziton kandidaturën në KLP
Kandidate për Prokurore të Përgjithshme?/ Gruaja që goditi call center-at e 50 milionë eurove
Kryeprokurori i ri/ Si shpëtoi nga SPAK-u kandidati që synon kreun e akuzës
Për herë të dytë në garë/ Adnan Xholi kandidon për Prokuror të Përgjithshëm



