Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me lajmin për hapjen e një Konsullate të Serbisë në Shkodër, duke shprehur rezerva për këtë zhvillim të mundshëm.
Bushati deklaron se shpreson që informacioni i bërë publik nga ministri i Jashtëm serb dhe marrëveshja e pretenduar me homologun shqiptar të mos rezultojë e vërtetë.
Sipas ish-kryediplomatit shqiptar, ngritja e një konsullate serbe në Shkodër do të ishte një vendim i gabuar në aspektin strategjik, pasi sipas tij nuk pasqyron realitetin historik dhe shoqëror të kësaj zone.
“Një konsullatë e Serbisë në Shkodër nuk reflekton realitetin historik, peshën e pakicës serbe në zonë dhe vendos padrejtësisht shenja barazimi me shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës”, shkruan Bushati.
Ai e ka cilësuar të gabuar një hap të tillë edhe në aspektin taktik, duke argumentuar se vjen në një kohë kur, sipas tij, retorika e zyrtarëve të lartë serbë ndaj Kosovës mbetet problematike.
Bushati ka ngritur gjithashtu shqetësime për marrëdhëniet rajonale, duke e cilësuar hapjen e konsullatës si një veprim që mund të shihet si një mesazh ndaj Malit të Zi, ndërsa ka përmendur edhe çështjen e pakicës malazeze në Shqipëri.
Reagimi i ish-ministrit të Jashtëm vjen pas deklaratave nga pala serbe për një marrëveshje të mundshme për hapjen e një përfaqësie konsullore në Shkodër, çështje që pritet të marrë më shumë sqarime nga autoritetet shqiptare.



