Marjana Koçeku ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale pas lajmit për një marrëveshje në parim mes Shqipërisë dhe Serbisë për hapjen e zyrave konsullore në Shkodër dhe Bujanoc.
Koçeku e ka cilësuar të çuditshëm hapjen e një konsullate serbe në Shkodër, ndërsa ka ngritur pikëpyetje mbi qëllimin dhe nevojën e këtij vendimi.
Sipas saj, nëse lajmi është i vërtetë, ministri i Jashtëm shqiptar Ferit Hoxha duhet të japë sqarime për arsyet që kanë çuar në këtë dakordësi.
“Që të hapet konsullata shqiptare në Bujanoc ka shumë arsye dhe është e nevojshme, por hapja e një konsullate serbe në Shkodër është e çuditshme. Çfarë kërkon konsullata serbe pikërisht në Shkodër? Kujt i shërben ajo konsullatë?”, shkruan Koçeku.
Ajo ka vënë në dukje se njoftimi i Ambasadës Shqiptare në Beograd përmend vetëm hapjen e konsullatës shqiptare në Bujanoc, ndërsa nuk ka referencë për një konsullatë serbe në Shkodër.
Koçeku argumenton se hapja e një konsullate zakonisht lidhet me praninë e një komuniteti të konsiderueshëm të shtetit përkatës, me interesa ekonomike, tregtare apo kulturore. Sipas saj, të dhënat e censusit të vitit 2023 nuk tregojnë një komunitet serb në Shkodër që do të justifikonte një përfaqësi të tillë.
Ajo ka sjellë në vëmendje se në qarkun e Shkodrës janë vetëdeklaruar 54 persona si serbë, ndërsa sipas saj numri total i komuniteteve sllavishtfolëse mbetet shumë i ulët në raport me popullsinë e zonës.
Sipas Koçekut, ky zhvillim mund të ketë një dimension më të gjerë gjeopolitik dhe kërkon një analizë të kujdesshme nga autoritetet shqiptare.
Në reagimin e saj, ajo ka ngritur gjithashtu shqetësime për qëndrimet e Serbisë ndaj Kosovës, duke deklaruar se Shqipëria duhet të ketë një qasje më të kujdesshme në marrëdhëniet me Beogradin.
“Çdo ndërmarrje e tillë diplomatike meriton transparencë, debat publik dhe një analizë të kujdesshme në funksion të interesit kombëtar”, shkruan Koçeku.
Reagimi vjen pas deklaratës së ministrit të Jashtëm serb Marko Gjuriq, i cili bëri të ditur se Serbia dhe Shqipëria kanë arritur një marrëveshje në parim për hapjen e zyrave konsullore në Shkodër dhe Bujanoc.



