KreuAktualitetPolitikaPas urdhërit të Kushtetueses/ PS vendos rritje minimale për pagat e drejtësisë

Pas urdhërit të Kushtetueses/ PS vendos rritje minimale për pagat e drejtësisë

Në përfundim të afatit të lënë nga Gjykata Kushtetuese, Partia Socialiste ka depozituar ndryshimet për formulën e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke propozuar një rritje të kufizuar të koeficientit.

Ndryshimet janë dorëzuar më 30 korrik nga deputetët socialistë Aulona Bylykbashi dhe Admir Kadeli, në një kohë kur Kuvendi ka hyrë në periudhën e pushimeve. Mazhoranca vlerëson se me këtë ndërhyrje ka përmbushur detyrimin e vendosur nga Kushtetuesja për rishikimin e skemës së pagave në sistemin e drejtësisë.

Sipas propozimit të ri, koeficienti për pagat e magjistratëve ndryshon nga 0.36 në 0.38, duke sjellë një rritje prej rreth 0.02%. Socialistët argumentojnë se një rritje më e madhe do të krijonte një diferencë të pajustifikuar me nivelet më të larta të pagave në administratën shtetërore, duke kaluar pagat e Presidentit, Kryeministrit apo drejtuesve të tjerë të institucioneve.

Në relacionin shpjegues të projektligjit thuhet se formula e re synon të ruajë një ekuilibër mes forcimit të pavarësisë financiare të gjyqtarëve dhe respektimit të proporcionalitetit në sistemin e pagave publike.

Sipas deputetëve propozues, kjo zgjidhje korrigjon situatën e krijuar nga skema e mëparshme, ku pagat e punonjësve të sistemit të drejtësisë nuk patën të njëjtin trajtim si rritjet e aplikuara në administratën publike.

Me koeficientin e ri, një gjyqtar i gjykatave të shkallës së parë do të vijojë të ketë një nivel page të krahasueshëm me funksionet më të larta shtetërore, duke u vendosur rreth 0.91 e pagës së Presidentit të Republikës.

Ndryshimi ligjor do të ketë edhe kosto financiare për shtetin, pasi përfshin pagesat e prapambetura që llogariten nga viti 2023. Këto detyrime do të shlyhen në mënyrë të ndarë përgjatë disa viteve buxhetore.

Debati për pagat e magjistratëve ka qenë prej kohësh një pikë përplasjeje mes qeverisë dhe përfaqësuesve të sistemit të drejtësisë. Gjykata Kushtetuese kërkoi rishikimin e skemës, pas kundërshtimeve të ngritura nga gjyqtarë dhe prokurorë.

Nga njëra anë, kryeministri Edi Rama ka argumentuar se pagat e larta duhet të shoqërohen me përgjegjësi dhe rezultate në punë. Nga ana tjetër, gjyqtarët dhe prokurorët këmbëngulin se garancitë financiare janë pjesë e pavarësisë së drejtësisë dhe mbrojtje ndaj ndikimeve të jashtme.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat