Pas konfirmimit të gjenerallejtënantit në pension Eric Wendt si ambasadori i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, ka ardhur edhe reagimi i Ambasadës Amerikane në Tiranë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale këtë të shtunë, ambasada ka uruar Wendt për detyrën e re, duke theksuar se e pret me kënaqësi ardhjen e tij në Shqipëri.
Në reagim, Ambasada Amerikane shprehet se Wendt do të punojë në mbështetje të vizionit të Presidentit Donald Trump për sigurinë e përbashkët, forcimin e NATO-s dhe krijimin e marrëveshjeve të drejta për bizneset amerikane.
“U konfirmua! Urime Gjenerallejtënantit (në pension) Eric Wendt për rolin e tij të ri si Ambasadori i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri!”, thuhet në reagimin e ambasadës.
Më tej, përfaqësia diplomatike amerikane në Tiranë thekson se pret ardhjen e ambasadorit të emëruar, i cili pritet të përfaqësojë administratën amerikane në Shqipëri në një periudhë të rëndësishme për marrëdhëniet dypalëshe.
“Presim me kënaqësi Ambasadorin e emëruar Wendt në Tiranë, nga ku do të mbështesë vizionin e Presidentit Trump për siguri të përbashkët, një NATO më të fortë dhe marrëveshje të drejta për bizneset amerikane”, përfundon reagimi i Ambasadës Amerikane.



