KreuAktualitetPolitikaIsh-kandidati socialist del kundër Ramës/ “Ju kërkoj ndjesë nëse ju kam kërkuar...

Ish-kandidati socialist del kundër Ramës/ “Ju kërkoj ndjesë nëse ju kam kërkuar votën”

Ish-kandidati i Partisë Socialiste për deputet, Paulin Luli, është bashkuar me banorët e Fushë-Arrëzit në protestën kundër reformës së re territoriale, e cila parashikon edhe shkrirjen e kësaj bashkie.

Luli, i cili në të kaluarën ka qenë pjesë e strukturave të së majtës, ka mbajtur një fjalim të ashpër ndaj kryeministrit Edi Rama, duke kritikuar politikat e qeverisë dhe duke kërkuar ndjesë për mbështetjen që i ka dhënë më herët.

Nga sheshi ku u zhvillua protesta, ai deklaroi se Rama nuk e meriton më votën e qytetarëve, ndërsa e akuzoi kryeministrin për “tradhti ndaj Shqipërisë”.

“Ju kërkoj ndjesë nëse ju kam kërkuar votën për Edi Ramën, por ky nuk e ka merituar dhe nuk e meriton. Nuk e meriton votën e këtij populli. Nuk e ka merituar asnjëherë. Nëse ka një tradhtar i Shqipërisë është Edi Rama, nuk jam unë. Unë nuk ju kam tradhtuar, ja ku jam”, u shpreh Luli.

Ai tha se nuk është dakord me mënyrën se si po qeveriset vendi dhe u shpreh kundër çdo vendimi që, sipas tij, dëmton interesat e banorëve dhe zonave të caktuara.

Luli foli edhe për periudhën kur ka mbajtur detyrën e drejtorit të Përgjithshëm, duke pretenduar se ka dhënë dorëheqjen pasi është përballur me presione për të firmosur vendime që, sipas tij, mund ta vinin përballë përgjegjësisë ligjore.

“Unë kam qenë drejtor i Përgjithshëm, por kur këta kërkojnë që unë të firmos dhe të shkoj në burg për ata, unë kam dhënë dorëheqjen. Nuk jam për të vjedhur, nuk jam i korruptuar, nuk jam në interesat e këtyre që duan të shesin Shqipërinë. Unë jam për punë të ndershme, për meritokraci, për drejtësi”, deklaroi ai.

Luli ka marrë pjesë edhe në protestat e zhvilluara më herët në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa tashmë është rreshtuar publikisht në krah të banorëve të Fushë-Arrëzit, të cilët kundërshtojnë shkrirjen e bashkisë dhe ndryshimet e propozuara në hartën e re territoriale.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat