Dorëheqja e drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Zjarrfikës, Arben Cara, ka shkaktuar pikëpyetje, sidomos në një kohë kur Shqipëria po përballet prej ditësh me një situatë të rënduar nga zjarret në disa zona të vendit.
Fillimisht u raportua se Cara kishte dhënë dorëheqjen nga detyra. Por një dokument i publikuar në media hedh një tjetër dritë mbi largimin e tij.
Sipas dokumentit të publikuar nga Skyweb.al, ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, më 10 gusht ka firmosur një urdhër për shfuqizimin e kompetencave të Carës për ushtrimin e detyrës në krye të Shërbimit Zjarrfikës.
Në dokument thuhet se vendimi hyn në fuqi menjëherë. Gjithashtu, nga përmbajtja e tij kuptohet se Cara nuk ishte emëruar si drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Zjarrfikës, por ushtronte kompetencat e kësaj detyre.

Urdhri i ministrit shfuqizon një vendim të mëparshëm të marrë nga Taulant Balla gjatë kohës kur drejtonte Ministrinë e Brendshme.
Ajo që ngre më shumë pikëpyetje është kronologjia e ngjarjeve. Cara raportohet se dha dorëheqjen një ditë pas vendimit të ministrit për shfuqizimin e kompetencave të tij.
Për momentin nuk është e qartë nëse Cara kishte vendosur më herët të largohej nga detyra dhe më pas ministri mori vendimin për shfuqizimin e kompetencave, apo nëse dorëheqja erdhi si pasojë e aktit të firmosur nga Lamallari.
Largimi i tij ka tërhequr vëmendje edhe për shkak të situatës me zjarret. Prej më shumë se 10 ditësh, disa zona të Shqipërisë janë përballur me vatra zjarri, ndërsa strukturat zjarrfikëse kanë qenë në terren për përballimin e situatës.
Vetë Cara ishte parë vetëm pak ditë më parë në terren, duke marrë pjesë në operacionet për shuarjen e flakëve që rrezikuan edhe zonat pranë Krujës.
Në këto kushte, largimi i tij në mes të situatës së emergjencës ka ngritur pikëpyetje për arsyet e vërteta të vendimit. Për momentin mungon një sqarim zyrtar që të tregojë qartë nëse bëhet fjalë për një dorëheqje të vullnetshme apo për një largim të lidhur me vendimin e ministrit të Brendshëm.
Pritet që institucionet të japin një reagim zyrtar për të sqaruar kronologjinë dhe arsyet e largimit të Arben Carës.



