Shqiptarët vijojnë të përballen me një shkallë dukshëm më të lartë refuzimi për vizat britanike krahasuar me shtetasit e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor. Kjo ndodh edhe pse emigracioni i parregullt nga Shqipëria drejt Mbretërisë së Bashkuar ka rënë në mënyrë drastike pas kulmit të vitit 2022.
Të dhënat dalin në një raport të titulluar “Asylum and Visa Applications from Albania: United Kingdom Trends and Insights”, i hartuar nga Said Morina Beka dhe Uran Ferizi, bazuar në të dhënat e Home Office dhe Oxford Migration Observatory për periudhën 2018-2025.
Sipas raportit, gjatë këtyre tetë viteve shqiptarët kanë bërë më shumë se 211 mijë aplikime për viza britanike, duke përbërë më shumë se gjysmën e aplikimeve nga i gjithë Ballkani Perëndimor.
Por diferenca shfaqet te rezultati. Vetëm 65.5 për qind e aplikimeve shqiptare janë miratuar, ndërsa për pesë vendet e tjera të rajonit norma e përbashkët është rreth 90 për qind. Në nivel vendesh, miratimet variojnë nga 74 për qind për Kosovën deri në 95 për qind për Serbinë.
Në shifra konkrete, rreth 73 mijë aplikime shqiptare janë refuzuar në periudhën 2018-2025. Për pesë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, të marra së bashku, janë regjistruar rreth 21 mijë refuzime.
Raporti e përmbledh këtë kontrast me një formulim domethënës: “Vend i sigurt, vizë e vështirë”.
Autorët bëjnë edhe një përllogaritje hipotetike. Nëse aplikimet shqiptare do të ishin refuzuar në të njëjtën masë si ato të pesë vendeve të tjera të rajonit, rreth 51 mijë nga 73 mijë refuzimet nuk do të kishin ndodhur.
Megjithatë, raporti thekson se kjo është vetëm një llogaritje statistikore dhe nuk provon se aplikantët shqiptarë dhe ata të vendeve të tjera kanë pasur të njëjtat profile apo rrethana. Të dhënat e publikuara nuk japin informacion të detajuar mbi qëllimin e aplikimeve, cilësinë e dokumentacionit apo historikun individual të aplikantëve.
Në vitet e fundit, situata është përmirësuar. Norma e miratimit të vizave për shqiptarët u rrit nga 65 për qind në vitin 2024 në 76 për qind në vitin 2025, niveli më i lartë i regjistruar gjatë periudhës së analizuar.
Megjithatë, diferenca me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor mbeti e konsiderueshme, rreth 14 pikë përqindjeje.
Ndërkohë, një tjetër pjesë e raportit tregon se vala e emigracionit të parregullt shqiptar drejt Britanisë është tkurrur ndjeshëm.
Në vitin 2022, rreth 12 mijë e 658 shqiptarë mbërritën në Britani me gomone. Tre vite më vonë, në vitin 2025, numri ra në vetëm 255 persona.
Edhe kërkesat për azil kanë shënuar një rënie të fortë. Nga mbi 17 mijë kërkesa në vitin 2022, numri zbriti në 1 mijë e 816 në vitin 2025.
Autorët e raportit e konsiderojnë valën e vitit 2022 një episod të jashtëzakonshëm dhe jetëshkurtër, dhe jo një model të qëndrueshëm të emigracionit shqiptar drejt Britanisë.
Megjithatë, raporti ngre një pyetje mbi lidhjen mes rrugëve të ligjshme dhe emigracionit të parregullt. Sipas autorëve, normat e ulëta të miratimit të vizave mund të kenë krijuar te një pjesë e të rinjve perceptimin se rrugët e rregullta drejt Britanisë ishin praktikisht të mbyllura.
Por edhe këtu autorët tregohen të kujdesshëm: të dhënat tregojnë një lidhje të mundshme, por nuk provojnë se refuzimet e vizave kanë shkaktuar emigracionin e parregullt.
Në përfundim, raporti thekson se shumica e shqiptarëve që jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar janë atje në mënyrë të rregullt, duke punuar, studiuar dhe jetuar ligjërisht.
Vala e fortë e vitit 2022, sipas autorëve, duhet parë si rezultat i një kombinimi faktorësh ekonomikë, rrjeteve të migrimit, politikave dhe mundësive që u krijuan në atë periudhë, dhe jo si një tipar i përhershëm i emigracionit shqiptar drejt Britanisë.



