KreuOpinion dhe Analizë“Brekët” e Kryemadhit pushtojnë mediat/ Hetimet e SPAK mbeten në hije

“Brekët” e Kryemadhit pushtojnë mediat/ Hetimet e SPAK mbeten në hije

Një batutë për jetën personale të Monika Kryemadhit është kthyer brenda pak orësh në refrenin e mediave shqiptare. “Të rri duke larë brekët e të tjerëve”, tha Kryemadhi gjatë një interviste televizive, teksa u pyet nëse e imagjinonte veten në të ardhmen me një partner.

Dhe mjaftoi kaq.

Fraza u shpërnda me shpejtësi në media, thuajse në të njëjtën formë, duke u kthyer në titull, lajm dhe “temë” më vete. Një deklaratë për jetën private mori hapësirë të gjerë, ndërsa pjesa politike e figurës së Kryemadhit mbeti në plan të dytë.

Problemi nuk është se një politikane nuk mund të flasë për jetën e saj personale. Sigurisht që mundet. As nuk është problem që një intervistë televizive të ketë edhe momente humori.

Pyetja është tjetër. Pse një batutë për “brekët” kthehet në lajm kombëtar, ndërsa çështjet që lidhen me përgjegjësinë publike të një politikani marrin shumë më pak vëmendje?

Monika Kryemadhi nuk është thjesht një personazh televiziv që flet për marrëdhëniet personale. Ajo është një figurë politike dhe ish deputete, e cila është përballur me hetime dhe akuza të bëra publike nga autoritetet dhe palët në çështjet përkatëse. Pikërisht për këtë arsye, interesi mediatik ndaj saj do të duhej të lidhej para së gjithash me aktivitetin politik, përgjegjësinë publike dhe zhvillimet e çështjeve që e prekin.

Por në vend të kësaj, një fjali për të brendshmet e një partneri të ardhshëm u bë më e rëndësishme se gjithçka tjetër.

“Breket” u bënë refren. Copy-paste sa hap e mbyll sytë.

Një media e publikon, tjetra e merr. Pastaj një tjetër e riformulon me të njëjtën fjali. Titulli ndryshon pak, por përmbajtja mbetet pothuajse identike. Në fund, krijohet përshtypja se kemi përpara një ngjarje me rëndësi publike, kur në fakt kemi një batutë të bërë në një intervistë argëtuese.

Kjo është një nga problemet e medias shqiptare. Shpesh nuk vendoset ajo që është më e rëndësishme për publikun, por ajo që prodhon më shumë klikime.

Dhe një fjali pikante për jetën private është shumë më e lehtë për t’u shitur sesa një shkrim serioz mbi hetimet, akuzat, dokumentet, përgjegjësitë politike apo mënyrën se si një figurë publike përballet me drejtësinë.

Kështu, publiku përfundon duke diskutuar për “breket e të tjerëve”, ndërsa çështjet që lidhen me pushtetin, paratë dhe drejtësinë kalojnë në heshtje.

Nuk ka asgjë të keqe që Kryemadhi të bëjë humor me jetën e saj personale. Por ka diçka shqetësuese kur media e shndërron një batutë private në kryelajm, ndërsa harron se personazhi që po promovon nuk është thjesht një ish-politikane që jep intervista verore.

Në një media që pretendon të informojë publikun, pyetja nuk duhet të jetë vetëm “çfarë tha Kryemadhi?”, por edhe “çfarë ka rëndësi të dijë publiku për Kryemadhin?”

Sepse nëse një batutë për larjen e brekëve bëhet lajm në çdo ekran, ndërsa një hetim i SPAK-ut bëhet lajm vetëm kur prodhon një titull të ri, atëherë problemi nuk është më te batuta.

Problemi është te prioritetet e medias. Dhe kjo është ajo që duhet diskutuar./ Etleva Skonja

E Vërteta.al

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat