KreuDrejtësiaSadushi, mesazh Qeverisë/ Vendimi i Kushtetueses nuk negociohet

Sadushi, mesazh Qeverisë/ Vendimi i Kushtetueses nuk negociohet

Kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, ka reaguar lidhur me ngërçin e krijuar për pagat në sistemin e drejtësisë, gjatë mbledhjes së jashtëzakonshme të gjyqtarëve.

Sadushi u shpreh se mosveprimi i Kuvendit për miratimin e formulës së re të pagave nuk mund t’i japë ekzekutivit të drejtën të pezullojë efektet e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.

Sipas tij, ndarja e pushteteve nuk nënkupton përplasjen mes institucioneve, por shpërndarjen e pushtetit në mënyrë që asnjë prej tyre të mos e përqendrojë të gjithin.

“Ndarja e pushteteve nuk është ndarja e shtetit në kampe kundërshtare, por është mënyra se si demokracia e shpërndan pushtetin, që askush të mos e ketë të gjithin”, tha Sadushi.

Ai theksoi se marrëdhënia mes pushteteve duhet të bazohet në respektin e kompetencave kushtetuese, duke nënvizuar se Kuvendi ka kompetencën e ligjvënies, ekzekutivi të qeverisjes dhe gjyqësori të dhënies së drejtësisë.

Sipas Sadushit, një vendim gjyqësor përfundimtar mund të kritikohet apo të mos pëlqehet, por kjo nuk e ndryshon detyrimin për zbatimin e tij.

“Një vendim gjyqësor mund të mos pëlqehet, të kritikohet, madje të konsiderohet i gabuar. Ndërkohë, kur ai është përfundimtar, nuk është një propozim, që zbatohet vetëm nëse pushteti tjetër bindet për drejtësinë e tij. Prej atij çasti nuk diskutohet më nëse pajtohemi me të, por diskutohet vetëm se si do të zbatohet”, u shpreh ai.

Sadushi deklaroi se mosveprimi i Kuvendit nuk mund t’i japë ekzekutivit të drejtën për të pezulluar efektet e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.

“Mosveprimi i Kuvendit nuk mund t’i japë ekzekutivit të drejtën të pezullojë efektet e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese. Përndryshe, fuqia e vendimit do të varej nga vullneti i organit, që duhet ta zbatojë. Në një shtet të së drejtës ndodh e kundërta. Organi shtetëror i nënshtrohet vendimit, jo vendimi vullnetit të organit shtetëror”, tha kreu i Gjykatës së Lartë.

Duke iu referuar procesit të integrimit evropian, Sadushi tha se respektimi i shtetit të së drejtës dhe vendimeve të gjykatave është pjesë e kulturës institucionale që duhet të shoqërojë këtë proces.

“Mentaliteti evropian provohet pikërisht, kur një vendim zbatohet edhe pse nuk pëlqehet. Shteti i së drejtës nuk matet me gatishmërinë për të zbatuar vendimet që na leverdisin, por me bindjen ndaj Kushtetutës, kur zbatimi është i vështirë”, u shpreh ai.

Në fjalën e tij, Sadushi u ndal edhe te mënyra se si trajtohet publikisht drejtësia, duke theksuar se kritika ndaj gjykatave dhe vendimeve të tyre është legjitime, por nuk duhet të kthehet në denigrim të sistemit të drejtësisë.

“Kritika ndaj gjykatave dhe vendimeve të tyre është legjitime. Asnjë gjyqtar dhe asnjë gjykatë nuk është mbi kritikën, por ndërmjet kritikës dhe denigrimit ka një kufi që nuk duhet fshirë”, tha Sadushi.

Ai shtoi se pavarësia e gjyqësorit duhet të mbrohet nga ndërhyrjet e qeverisë, parlamentit, medias dhe presionit të opinionit publik.

“Pikërisht këtë gjyqtar duhet të mbrojmë sot”, përfundoi Sadushi.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat