A prodhon apo jo Shqipëria armë?
Kjo është pyetja që ka marrë një tjetër dimension pas publikimit të përgjimeve ku përmendet biznesmeni Ron Yeffet dhe pas deklaratave të bëra nga drejtues të Ministrisë së Mbrojtjes dhe kompanisë shtetërore KAYO.
Në njërën anë është ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, i cili në Kuvend, më 23 prill 2026, deklaroi se në Shqipëri prodhohen armë përmes kompanisë Advanced Arms Technology (AAT). Në anën tjetër, zëvendësministrja e Mbrojtjes Blerina Abrazhda dhe administratori i KAYO-s, Ardi Veliu, thonë se aktualisht Shqipëria nuk ka mundësi të prodhojë armë.
Kjo krijon një kontradiktë të drejtpërdrejtë brenda vetë strukturave që kanë përgjegjësi mbi industrinë shqiptare të mbrojtjes.
Çfarë tha ministri Nufi?
Në interpelancën parlamentare të 23 prillit, ministri Ermal Nufi foli qartë për kompaninë Advanced Arms Technology.
“Kemi dhe shoqërinë Advanced Arms Technology, e cila prodhon armë dhe këto armë, siç e thashë edhe një herë, në përdorim sot, në konflikte diku. Jo patenta fiktive”, deklaroi Nufi nga foltorja e Kuvendit.
Deklarata e ministrit nuk ishte se Shqipëria thjesht po krijon kapacitete për të prodhuar armë në të ardhmen. Ai foli për prodhim ekzistues, duke thënë se armët e prodhuara në Shqipëri janë edhe në përdorim në zona konflikti.
Kjo është pjesa që sot ngre më shumë pikëpyetje.
Çfarë thotë zëvendësministrja Abrazhda?
Pesë muaj pas deklaratës së Nufit, qëndrimi i zëvendësministres Blerina Abrazhda është dukshëm ndryshe.
E pyetur për çështjen e armëve dhe për pretendimet rreth aktivitetit të KAYO-s, Abrazhda tha se në Shqipëri nuk ka ambalazhim armësh dhe se vendi nuk eksporton armatim.
“Nuk ka ambalazhim të armëve në Shqipëri. Shqipëria sot nuk eksporton. Në dijeninë time, si zëvendësministre dhe nga ajo që mund të gjeni nga eksporti i kontrollit, Shqipëria nuk eksporton armatim”, deklaroi ajo.
Kjo deklaratë bie në kontrast me atë të Nufit, i cili kishte folur për një kompani që prodhon armë dhe për armë që janë tashmë në përdorim në konflikte.
Edhe Ardi Veliu mohon kapacitetet për prodhim
Administratori i KAYO-s, Ardi Veliu, shkoi edhe më tej.
Në një intervistë të dhënë mbrëmjen e 10 shtatorit, pas publikimit të përgjimeve të Arben Ahmetajt, Veliu mohoi që KAYO të ketë lidhje me ndonjë trafik armësh dhe tha se fabrikat që kompania ka në pronësi aktualisht kanë zero prodhim.
“Deri më tani përfshirja e KAYO-s është zero, se fabrikat që kemi marrë dhe i kemi në pronësi, aktiviteti është zero i prodhimit, nuk kemi asnjë lloj mundësie, qoftë dhe teorike, që t’i futemi këtij procesi”, deklaroi Veliu.
Veliu tha gjithashtu se për prodhimin e produkteve të licencuara kërkohet licencë dhe se është e pamundur që një produkt të prodhohet në një shtet tjetër, të paketohet në Shqipëri dhe më pas të eksportohet.
Pra, administratori i kompanisë shtetërore që ka në fokus industrinë e mbrojtjes thotë se aktualisht nuk ka prodhim në fabrikat e KAYO-s.
Ku është kontradikta?
Nëse vendosen përballë deklaratat, panorama është e tillë:
Ermal Nufi, 23 prill 2026 deklaron: AAT “prodhon armë” dhe këto armë janë “në përdorim sot” në konflikte.
Blerina Abrazhda, 10 shtator 2026 deklaron: “Nuk ka ambalazhim të armëve në Shqipëri” dhe Shqipëria nuk eksporton armatim.
Ardi Veliu, 10 shtator 2026 deklaron: Fabrikat e KAYO-s kanë “zero” aktivitet prodhues dhe KAYO nuk ka mundësi të përfshihet në një proces të tillë.
Pra, nuk kemi thjesht një debat politik. Kemi tre deklarata që duhet të sqarohen me dokumente.
Kujtojmë se ligji që krijoi kompaninë shtetërore i jep asaj objekt të gjerë në fushën e prodhimit dhe tregtimit të armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake, si dhe mundësinë për të krijuar partneritete me kompani private.
Ndërkohë, në praktikë, KAYO ka krijuar disa kompani të përbashkëta dhe ka nisur projekte në industrinë e mbrojtjes. Në korrik, vetë Ministria e Mbrojtjes deklaroi se 40 mjete taktike të prodhuara nga industria shqiptare iu dorëzuan Forcave të Armatosura dhe ministri Nufi tha se në Shqipëri tashmë prodhohen mjete të blinduara dhe mjete taktike.
Roli i AAT?
Ministri Nufi ka thënë publikisht se AAT prodhon armë. Por në deklaratat e fundit të Abrazhdës dhe Veliut nuk jepet një konfirmim i tillë. Përkundrazi, ato minimizojnë ose mohojnë mundësinë e prodhimit dhe eksportit të armatimit nga Shqipëria.
Në këto rrethana Ministria e Mbrojtjes duhet të sqarojë se çfarë prodhon konkretisht AAT, ku ndodhet objekti i prodhimit dhe
nëse kompania ka licencë për prodhim armësh apo municionesh, sa armë janë prodhuar deri tani, nëse ka pasur eksport, cilat janë vendet pritëse si dhe nëse deklarata e ministrit Nufi e 23 prillit qëndron ende.



