Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Taulant Muka ka reaguar në rrjetet sociale pas emërimit të Ervin Demos në postin e ministrit të Brendshëm, duke hedhur akuza të forta ndaj tij për karrierën akademike.
Muka e ka cilësuar Demon si pjesë të asaj që ai e quan “hajdutët intelektualë” që, sipas tij, Kryeministri Edi Rama po mban rreth vetes.
“Aq rëndë është katandisur Kryeministri, sa rreth vetes po mban vetëm ‘hajdutët intelektualë’”, shkruan Muka.
Më tej, ai pretendon se Ervin Demo e ka ndërtuar karrierën akademike mbi plagjiaturën, duke theksuar se, sipas tij, nuk bëhet fjalë për ngjashmëri të pjesshme, por për kopjim të plotë.
“Ervin Demo e ka ndërtuar karrierën e tij akademike mbi plagjiaturën, dhe nuk bëhet fjalë për ngjashmëri 10%, por për kopjim të plotë, 100%”, shprehet ai.
Sipas Mukës, kjo situatë është tregues i “degradimit” të qeverisë dhe konsumimit të saj politik.
“Njerëzit e punës, dijes dhe integritetit nuk i afrohen më; në skenë mbeten ata që pushtetin e shohin si strehë dhe jo si përgjegjësi”, përfundon reagimin e tij.
Akuzat e Mukës vijnë pas ndryshimeve të fundit në qeveri, ku Ervin Demo u emërua ministër i Brendshëm.



