Shqiptarët po marrin gjithnjë e më shumë akses në kredi, ndërsa bankat kanë nisur të lehtësojnë kushtet e kreditimit për individët.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se gjatë tremujorit të parë të vitit 2026 standardet e kreditimit për individët u lehtësuan, kryesisht për kreditë konsumatore. Për kreditë për blerjen e banesave, kushtet mbetën thuajse të pandryshuara.
Thëne ndryshe, bankat po bëhen më të gatshme të financojnë nevojat e konsumatorëve, ndërsa konkurenca në sistemin bankar ka ndikuar në lehtësimin e kushteve të huamarrjes. Banka e Shqipërisë vëren gjithashtu një tolerancë më të lartë të bankave ndaj marrjes së rrezikut.
Marrja e një kredie nuk është pa kosto
Në korrik 2026, Banka e Shqipërisë përcaktoi norma maksimale efektive interesi për kreditë konsumatore që, në varësi të shumës, shkojnë deri në 51.37% për kredi me këste deri në 200 mijë lekë. Për kredi nga 200 mijë deri në 600 mijë lekë, kufiri maksimal ishte 37.40%, ndërsa për kreditë nga 600 mijë deri në 2 milionë lekë, 14.46%. Për kredi nga 2 deri në 10 milionë lekë, kufiri ishte 12.43%.
Në praktikë, kjo tregon një diferencë të madhe mes kredive të vogla të përdorura për nevoja të menjëhershme dhe financimeve më të mëdha, si blerja e një banese.
Edhe kreditë për shtëpi kanë norma të ndryshme në varësi të bankës dhe periudhës së fiksimit të interesit. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë për korrikun 2026 tregojnë oferta që nisin rreth 2.9%-3.5% në disa banka për periudhat e para të kredisë, ndërsa më pas normat mund të ndryshojnë sipas kontratës.
Pyetja nuk është vetëm sa kredi po marrin shqiptarët, por edhe për çfarë po marrin borxh dhe sa po u kushton ky borxh.
Lehtësimi i standardeve nga bankat mund të nxisë kreditimin dhe konsumin, por për familjet shqiptare një kredi e vogël me interes të lartë mund të kthehet në një barrë të konsiderueshme mujore.
Për çfarë po marrin kredi shqiptarët?
Në fund të vitit 2025, huatë për individët arritën në 371.2 miliardë lekë, me një rritje prej 19.9% krahasuar me një vit më parë. Rritjen më të shpejtë e kanë shënuar kreditë konsumatore, të cilat u zgjeruan me 23%.
Kjo do të thotë se një pjesë e borxhit të familjeve po përdoret për të përballuar shpenzime konsumi dhe nevoja personale, ndërsa pjesa tjetër lidhet me tregun e banesave. Vetëm në Tiranë, huatë për blerje banesash u rritën me 18.5% gjatë vitit 2025.
Në nivel kombëtar, kredia e re për blerje banesash arriti një rekord prej 64.4 miliardë lekësh në vitin 2025, ose rreth 658 milionë euro, duke u rritur me 17.3% brenda një viti.
Borxhi i shqiptarëve po shkon kryesisht te konsumi/nevojat personale dhe te blerja e shtëpive.



