KreuAktualitetPolitika"Mos e zgjasni krizën institucionale"/ Malaj kritikon mazhorancën për përplasjen me magjistratët

“Mos e zgjasni krizën institucionale”/ Malaj kritikon mazhorancën për përplasjen me magjistratët

Ish-ministri dhe ish-deputeti socialist Arben Malaj ka kritikuar mazhorancën për mënyrën se si po menaxhon përplasjen institucionale lidhur me pagat e magjistratëve dhe zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Në një reagim në rrjetet sociale, Malaj shprehet se përplasjet publike mes mazhorancës, magjistratëve dhe Gjykatës Kushtetuese vetëm sa e thellojnë, sipas tij, mosfunksionimin e shtetit ligjor.

Ai kritikon gjithashtu mazhorancën për faktin që, sipas tij, nuk duhej të niste pushimet pa kaluar në Kuvend vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pagat e magjistratëve.

“Çdo përplasje publike mes mazhorancës, magjistratëve dhe Gjykatës Kushtetuese vetëm e rëndon akoma më shumë mosfunksionimin e shtetit ligjor”, shkruan Malaj.

Sipas tij, ekziston një kufi i sipërm për rritjen e pagave në sistemin e drejtësisë, ndërsa çdo ndryshim i parimeve dhe tabelave të pagave duhet të bëhet përmes ligjit në Parlament.

Malaj argumenton se në nivelin më të lartë të hierarkisë shtetërore ky kufi lidhet me pagën e Presidentit të Republikës, ndërsa për sistemin gjyqësor me pagën e drejtuesit të gjykatës më të lartë.

Në reagimin e tij, ai kërkon më shumë transparencë në përllogaritjet e bëra nga të dyja palët, duke e lidhur çështjen me respektimin e ndarjes dhe kontrollit mes pushteteve.

Malaj kundër thirrjeve për burgosje

Ish-ministri socialist ndalet edhe tek deklaratat publike për arrestimin apo burgosjen e drejtuesve të Ministrisë së Financave dhe të Thesarit. Ai i cilëson këto thirrje si “jo produktive”, duke argumentuar se konflikti duhet të zgjidhet në rrugë institucionale dhe kushtetuese.

Kuvendi pritet ta analizojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese më 17 shtator. Malaj e konsideron këtë periudhë si një mundësi që palët të lënë mënjanë përplasjet publike dhe të punojnë për një zgjidhje të qëndrueshme.

Ai paralajmëron gjithashtu se një kërkesë e mundshme për asistencën e Komisionit të Venecias do ta zgjaste krizën institucionale.

“Zgjidhja më e pranueshme, mazhoranca zbaton vendimin e Kushtetueses”, shkruan Malaj.

Sipas tij, mazhoranca nuk mund ta bllokojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese pa ndërhyrë më parë në ligjin organik të gjyqësorit dhe në sistemin e piramidën e pagave.

Në fund të reagimit, Malaj ngre pikëpyetje edhe mbi shifrat e bëra publike për rritjen e pagave, duke pretenduar se rritjet reale të parashikuara në dokument janë disa herë më të ulëta nga ato që janë prezantuar publikisht.

Malaj, i cili ka mbajtur më herët poste politike dhe qeveritare në radhët e Partisë Socialiste, prej kohësh është shfaqur publikisht me qëndrime kritike ndaj politikave dhe vendimmarrjes së mazhorancës.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat