KreuDrejtësiaSynon drejtimin e Gjykatës së Lartë/ Rruga pa Veting e Ilir Pandës...

Synon drejtimin e Gjykatës së Lartë/ Rruga pa Veting e Ilir Pandës dhe lidhja me çiftin Veliaj-Xoxa

Ilir Panda është kandidati i vetëm që ka hyrë në garë për drejtimin e Gjykatës së Lartë. Por përtej kandidaturës së tij, në vëmendje rikthehen mënyra se si Panda u bë pjesë e Gjykatës së Lartë, statusi i tij ndaj procesit të vettingut, deklarimet e pasurisë dhe një episod i përsëritur i konfliktit të interesit në dosjen e familjes Veliaj-Xoxa.

Panda është pjesë e Gjykatës së Lartë prej marsit 2020. Aktualisht është zëvendëskryetar i kësaj gjykate, drejton Kolegjin Penal dhe është kryetar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për vitin 2026.

Si hyri Panda në Gjykatën e Lartë 

Në vitin 2020, KLGJ e përzgjodhi atë nga radhët e “juristëve të spikatur”, për profilin e së drejtës penale. KLGJ zhvilloi seancë dëgjimore, bëri vlerësimin dhe pikëzimin e kandidatëve dhe Panda mori 86 pikë. Më pas Presidenti i asaj kohe, Ilir Meta e dekretoi si anëtar të Gjykatës së Lartë.

Panda nuk erdhi në Gjykatën e Lartë përmes karrierës së zakonshme të gjyqtarit që ngrihej në detyrë brenda sistemit.

Për më të tepër, Panda nuk ka kaluar procesin klasik të rivlerësimit kalimtar të vettingut nga KPK dhe KPA si gjyqtarët që iu nënshtruan këtij procesi.

Për emërimin në Gjykatën e Lartë ai iu nënshtrua procedurës së kualifikimit dhe vlerësimit nga KLGJ si kandidat nga radhët e juristëve të spikatur.

Kjo nuk është e njëjta procedurë me vettingun e zhvilluar nga KPK dhe KPA për magjistratët.

Kështu, ndërsa Panda prej më shumë se gjashtë vitesh ushtron funksionin e gjyqtarit në Gjykatën e Lartë, çështja e statusit të tij ndaj vettingut mbetet një nga elementët më të rëndësishëm për t’u parë në kandidaturën për drejtimin e institucionit më të lartë gjyqësor në vend.

Pasuria

Panda ka një histori të gjatë deklarimesh pasurore, të publikuara në regjistrat e deklarimit të pasurive. Në deklarimet e tij shfaqen të ardhura nga paga si gjyqtar i Gjykatës së Lartë, të ardhura nga qiratë, interesa bankare dhe të ardhura nga aktiviteti akademik.

Në deklarimin për vitin 2024, Panda deklaron mbi 4.2 milionë lekë të ardhura neto nga paga në Gjykatën e Lartë, ndërsa deklaron gjithashtu të ardhura nga qiraja, interesa bankare dhe aktiviteti mësimor.

Në të njëjtin deklarim rezultojnë edhe ndryshime në gjendjen e kursimeve, përfshirë shtim të cash-it me 4 mijë euro dhe shtim të një llogarie bankare me mbi 8.4 mijë euro, të deklaruara me burim kursimet.

Episodi Veliaj-Xoxa

Në mars 2025, Panda ishte pjesë e trupës së Gjykatës së Lartë që do të shqyrtonte rekursin e Ajola Xoxës dhe Arbër Veliajt lidhur me kontrollet e SPAK. Në atë proces, njëri prej gjyqtarëve u tërhoq për shkak të papajtueshmërisë. Raportimet e mëvonshme identifikuan Pandën si gjyqtarin që deklaroi konflikt interesi për shkak të lidhjeve të afërta me Ajola Xoxën.

Çështja merr tjetër rëndësi në korrik 2026. Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rikthimin e çështjes së masës së sigurisë së Erion Veliajt në Gjykatën e Lartë, shorti caktoi pikërisht Ilir Pandën për shqyrtimin e saj.

Pra, i njëjti gjyqtar që kishte deklaruar më parë konflikt interesi me bashkëshorten e Erion Veliajt, Ajola Xoxën, u caktua më pas për çështjen e Erion Veliajt.

Por, me 15 korrik 2026, Panda u tërhoq edhe nga kjo çështje dhe në trupën e re u caktua Sandër Simoni si relator.

E Vërteta.al

Gara për kreun e Gjykatës së Lartë/ Del kandidati i parë

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat