Pas një serie ngjarjesh të rënda kriminale në Sarandë, Ministri i Brendshëm Ervin Demo ka urdhëruar ndryshime të forta në strukturat e Komisariatit të Policisë së qytetit.
Sipas informacionit të bërë publik, Demo ka kërkuar shkrirjen e zinxhirit komandues të Komisariatit të Sarandës dhe ngritjen e një Task-Force të përkohshme, e cila do të merret me hetimin e ngjarjeve kriminale të ndodhura gjatë muajve të fundit.
Vendimi vjen vetëm një ditë pas ekzekutimit të Artan Myrtajt në qendër të Sarandës, një ngjarje që riktheu në vëmendje përplasjet kriminale që prej korrikut të vitit 2025 kanë prodhuar plagosje, shpërthime dhe viktima. Për vrasjen e Myrtajt, policia ka nisur hetimet, ndërsa autorët ende nuk janë identifikuar publikisht.
Task-Forca do të ketë 10 persona dhe, sipas vendimit të njoftuar, do të fokusohet te zbardhja e një serie ngjarjesh kriminale dhe goditja e grupeve që dyshohet se janë përfshirë në konfliktet në zonën e Sarandës.
Por vendimi i ministrit ngre edhe një pikëpyetje: a është kjo një ndërhyrje reale për të ndryshuar situatën në Sarandë apo një reagim i momentit pas një tjetër atentati?
Sepse problemi nuk është vetëm ngjarja e fundit.
Prej më shumë se një viti, Saranda është përballur me një seri episodesh të rënda kriminale. Atentati i fundit ndodhi në zemër të qytetit, në një zonë të populluar dhe pranë strukturave të Policisë.
Në këtë situatë, ministri Demo ka kërkuar që Policia e Shtetit të marrë kontroll të plotë të territorit dhe që strukturat e reja të përqendrohen te hetimi i ngjarjeve dhe parandalimi i përshkallëzimit të konfliktit.
Por testi i vërtetë i këtij vendimi nuk do të jetë njoftimi për shkrirjen e strukturave apo ngritjen e Task-Forcës. Do të jetë rezultati në terren, a do të zbardhen vrasjet, a do të identifikohen autorët dhe a do të ndalen atentatet në Sarandë?
Në një qytet ku ngjarjet kriminale janë përsëritur për 14 muaj, ndryshimi i strukturës së policisë mund të jetë vetëm hapi i parë. Ajo që pritet të shihet është nëse kjo ndërhyrje do të sjellë një ndryshim real në sigurinë e qytetit apo do të mbetet vetëm një tjetër reagim pas ngjarjes së radhës.



