Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka dhënë vendimin për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, pas kontestimit të tyre nga Partia Demokratike e Kosovës.
Kushtetuesja ka konstatuar se Kuvendi i Kosovës është konstituuar pas skadimit të afatit kushtetues 30-ditor. Megjithatë, në vendim nuk janë specifikuar pasoja juridike për deputetët që nuk respektuan këtë afat.
Sipas Gjykatës, konstituimi i Kuvendit jashtë afatit ka si pasojë fillimin e afateve kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit dhe formimin e Qeverisë.
“Kalimi i afatit tridhjetë (30) ditor për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ka për pasojë fillimin e rrjedhjes së afateve kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, kur posti i Presidentit është vakant dhe për zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në vendimin e Gjykatës.
Sa i përket zgjedhjes së Presidentit, Gjykata përcakton se afati 60-ditor ka nisur më 8 gusht 2026 dhe përfundon më 6 tetor 2026.
Kushtetuesja ka vendosur gjithashtu që deputetët e Kuvendit të Kosovës të zgjedhin sa më parë nënkryetarin që i takon grupit të dytë më të madh parlamentar.
Ndërkohë, Gjykata ka konstatuar se zgjedhja e Qeverisë nuk është në kundërshtim me Kushtetutën.
“Vendimi [Nr. 11-V-007] i 13 shtatorit 2026 i Kuvendit të Republikës së Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës nuk është në kundërshtim me nenin 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në vendim.
Vendimi i Kushtetueses vjen pas kërkesës së PDK-së për të shqyrtuar kushtetutshmërinë e procedurave që çuan në konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e Qeverisë.



