Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Vizita e delegacionit shqiptar në New York për Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara ka edhe një faturë financiare, një pjesë e së cilës është e dokumentuar, ndërsa kostoja e akomodimit mund të përllogaritet vetëm në bazë të çmimeve të publikuara nga hotelet ku kanë qëndruar.
Ne po ndalemi vetëm tek akomodimi në New York.
Në New York kanë qenë kryeministri Edi Rama, kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla dhe pjesëtarë të tjerë të delegacionit shqiptar. Sipas raportimeve, delegacioni është akomoduar në Hôtel Barrière Fouquet’s New York, një hotel luksoz në zonën e Tribeca-s.
Për udhëtimin ajror, referuar dokumenteve të Agjencisë së Prokurimit Publik, Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare ka blerë bileta me destinacion New York për delegacionin e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, për periudhën 19–26 shtator 2026.

Kontrata, e fituar nga kompania ONE EXPLORER, ka një vlerë prej 915 mijë lekësh.

Por, kostoja e udhëtimit nuk përfundon te bileta.
Çmimet e publikuara për dhomat në hotelin ku është raportuar qëndrimi i delegacionit në New York, variojnë sipas kategorisë. Dhomat e kategorive të ndryshme kushtojnë rreth 1,495 deri në 1,890 euro nata, ndërsa suitat shkojnë në disa mijëra euro për një natë.
Duke marrë si referencë tre nga kategoritë e dhomave, me çmime rreth 1,495, 1,666 dhe 1,890 euro, çmimi mesatar del rreth 1,684 euro nata.
Për një natë, duke marrë si bazë çmimin mesatar prej rreth 1,684 euro për dhomë, për 5 dhoma çmimi shkon rreth 8,420 euro nata, për 6 dhoma, rreth 10,104 euro nata dhe për 7 dhoma, rreth 11,788 euro nata.
Por për të kuptuar përmasën e shpenzimit, duke pasur parasysh se delegacioni është akomoduar edhe në qytete të tjera në SHBA, nëse do të merreshin pesë dhoma me çmimin mesatar të mësipërm në hotele të njëjta si në New York, akomodimi për shtatë netë do të shkonte në rreth 58,940 euro. Për gjashtë dhoma, rreth 70,728 euro, ndërsa për shtatë dhoma rreth 82,516 euro.
Bëhet fjalë vetëm për një përllogaritje mbi çmimet e publikuara nga hoteli dhe jo për shumën që ka paguar realisht shteti.
Ajo që është e dokumentuar deri tani janë 915 mijë lekë për biletat e delegacionit të MEPJ-së, ndërsa vetëm çmimet e publikuara të akomodimit nga vetë hoteli, tregojnë se qëndrimi në këtë hotel mund të përbëjë një tjetër shpenzim të konsiderueshëm.



