KreuAktualitetPolitikaÇfarë u diskutua në Këshillin e Sigurimit?/ Detaje nga mbledhja me dyer...

Çfarë u diskutua në Këshillin e Sigurimit?/ Detaje nga mbledhja me dyer të mbyllur

Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR

 

Presidenti Bajram Begaj ka thirrur këtë të hënë mbledhjen e Këshillit të Sigurimit Kombëtar, ku në fokus ka qenë situata aktuale e sigurisë dhe bashkëpunimi mes institucioneve.

Në mbledhje, përveç anëtarëve të përcaktuar me ligj, ishin të ftuar edhe përfaqësues të Prokurorisë së Përgjithshme dhe të SPAK-ut.

Diskutimet u përqendruan te forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional, koordinimi me partnerët dhe aleatët ndërkombëtarë, si dhe rikthimi dhe forcimi i besimit të publikut te institucionet e sigurisë.

Në përfundim të mbledhjes, Presidenti Begaj ka theksuar se institucionet e sigurisë nuk duhet të shihen si rivale.

“Për sigurinë kombëtare, institucionet nuk konkurrojnë me njëri-tjetrin. Ato kanë përgjegjësi të ndryshme, por i shërbejnë të njëjtit interes: sigurisë së Republikës së Shqipërisë”, thuhet në përfundimet e Këshillit.

Në këtë kuadër, është kërkuar që mosbesimi institucional të zëvendësohet me bashkëpunim, koordinim dhe komunikim profesional.

Një pjesë e rëndësishme e diskutimit ka qenë edhe pavarësia e hetimeve të drejtësisë. Sipas përfundimeve të mbledhjes, hetimet duhet të zhvillohen tërësisht të pavarura dhe vendimet e institucioneve të drejtësisë të respektohen nga të gjithë.

“Çështjet individuale të mos kthehen në krizë besimi ndaj shtetit dhe ndaj institucioneve të sigurisë”, thuhet në dokument.

Presidenti ka kërkuar gjithashtu që institucionet t’u tregojnë qytetarëve se sistemi është në gjendje të korrigjojë vetveten dhe të mbrojë interesin publik. Për këtë arsye, theksi është vendosur te forcimi i standardeve, kontrollit, transparencës, llogaridhënies dhe bashkëpunimit institucional.

Në përfundim, Këshilli vlerëson se Shqipëria ka institucionet, partnerët dhe aleatët ndërkombëtarë, si dhe kapacitetet profesionale për të përballuar sfidat e sigurisë, duke kërkuar që këto kapacitete të përdoren për forcimin e shtetit dhe besimit të qytetarëve.

Këshilli i Sigurimit Kombëtar është organ këshillimor i Presidentit të Republikës dhe nuk merr vendime. Ai e mbështet Presidentin në ushtrimin e kompetencave të tij kushtetuese dhe ligjore. Mbledhjet e Këshillit zhvillohen me dyer të mbyllura.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat