Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, fillimisht kërkoi dialog mes pushteteve për problemet e drejtësisë, por vetëm pak ditë më vonë refuzoi të ulet në tryezën e thirrur nga kryeministri Edi Rama për pagat e magjistratëve.
Në fjalën e mbajtur më 25 shtator në Mbledhjen e Përgjithshme të Gjyqtarëve, Sadushi u shpreh për nevojën e dialogut mes ekzekutivit dhe gjyqësorit. Ai theksoi se dialogu nuk duhet të përkthehet në nënshtrim dhe se sistemi i drejtësisë ka nevojë për një diskutim më të gjerë mbi funksionimin e tij.
“Prania në tryezë nuk do të thotë heqje dorë nga qëndrimet tona dhe as pranim i premisave të palës tjetër. Dialogu nuk është nënshtrim”, tha Sadushi.
Dy ditë më vonë, në përgjigjen zyrtare ndaj Kryeministrisë, Sadushi ndryshoi qëndrim dhe njoftoi se Gjykata e Lartë nuk do të përfaqësohej në tryezën e 28 shtatorit.
Në letrën e tij, ai rikujton se në momentin kur Rama bëri ftesën, më 18 shtator, situata ishte ndryshe. Ndërkohë, ligji i ri për pagat i është nënshtruar kontrollit të Gjykatës Kushtetuese.
“Kjo rrethanë e re ndikon, në vlerësimin tim, si në kohën, ashtu edhe në përmbajtjen e dialogut”, shkruan Sadushi.
Sipas tij, tashmë nuk mund të zhvillohet një negociatë politike apo institucionale mbi një çështje që është në shqyrtim nga organi që ka kompetencën për të dhënë vendimin kushtetues.
“Për një çështje kushtetuese tashmë të shtruar për gjykim, fjala i përket Gjykatës Kushtetuese. Për rrjedhojë, dialogu për këtë objekt mund të jetë substancial dhe efektiv pasi ajo të jetë shprehur”, argumenton kreu i Gjykatës së Lartë.
Ai thotë se është i gatshëm të marrë pjesë në një dialog ndërmjet pushteteve që të ketë në qendër problemet që ndikojnë në cilësinë dhe kohën e dhënies së drejtësisë.
“Është një dialog i nevojshëm dhe tashmë i vonuar”, shprehet Sadushi, duke kërkuar që një tryezë e tillë të zhvillohet me qytetarin në qendër.
Përplasja për pagat tashmë është zhvendosur nga debati mes qeverisë dhe institucioneve të drejtësisë në Gjykatën Kushtetuese.
Pagat, Sadushi i dërgon sinjal pozitiv Ramës/ Si justifikohet para gjyqtarëve



