Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka prezantuar projektndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, duke hapur edhe procesin e konsultimit publik për ndërhyrjet e propozuara në legjislacionin procedural penal.
Në fokus të ndryshimeve janë paraburgimi, alternativat ndaj arrestit në burg, forcimi i të drejtave të mbrojtjes dhe garancitë procedurale për qytetarët.
Gogu tha se në vitin 2024, sipas të dhënave të Këshillit të Evropës, pothuajse 6 në 10 persona në institucionet penitenciare shqiptare nuk kishin ende një vendim të formës së prerë. Ndërkohë, kohëzgjatja mesatare e paraburgimit në gjykatat e juridiksionit të përgjithshëm ishte rreth 253 ditë.
Ministri e cilësoi arrestin në burg si një masë që duhet të përdoret në raste përjashtimore, duke theksuar se pesha e akuzës nuk mund të jetë e vetme arsye për kufizimin e lirisë.
“Kur sot 2353 njerëz ndodhen në paraburgim, një pjesë e madhe e tyre presin një vendim përfundimtar, ne duhet të shqyrtojmë kohëzgjatjen, duhet të shqyrtojmë arsyetimin dhe alternativat në funksionimin e sistemit”, deklaroi Gogu.
Projektndryshimet parashikojnë gjithashtu forcimin e të drejtave të mbrojtjes gjatë hetimit, kufizimin e aksesit në të dhënat personale gjatë sekuestrimit të telefonave, mbrojtjen e prezumimit të pafajësisë dhe masa shtesë për viktimat e dhunës në familje.
Një nga çështjet që pritet të ndryshojë në praktikë është edhe mbikëqyrja elektronike. Gogu tha se qeveria ka siguruar fondet për zbatimin e saj dhe se Ministria e Drejtësisë synon ta vërë sistemin në funksion brenda pranverës së vitit të ardhshëm.
“Askush nuk gjendet nën mbikëqyrje elektronike, siç parashikon ligji dhe një alternativë që ekziston vetëm në ligj, nuk është kurrfarë alternative”, tha ministri.
Sipas tij, projektndryshimet prekin edhe regjistrimin audioviziv të marrjes në pyetje dhe rregullimin e provës digjitale. Gogu pranoi se zbatimi i këtyre ndryshimeve kërkon pajisje, ekspertizë dhe kohë, ndaj hyrja në fuqi e tyre duhet të jetë e realizueshme edhe në praktikë.
Ministri propozoi gjithashtu hartimin e një strategjie të përbashkët për paraburgimin, në bashkëpunim me Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Strategjia do të fokusohet te cilësia e vendimeve, përdorimi i alternativave ndaj paraburgimit dhe transparenca e procesit.
Projektndryshimet do të jenë të hapura për konsultim publik deri më 28 tetor. Ministria ka ftuar gjyqtarët, prokurorët, avokatët, akademikët dhe shoqërinë civile të paraqesin komentet dhe propozimet e tyre.
Gogu e përmblodhi qasjen e propozuar me nevojën për të ruajtur balancën mes luftës kundër kriminalitetit dhe të drejtave të personave nën hetim.
“Sfida e shtetit të së drejtës është t’u dalë për zot të dyjave. Të ndjekë krimin pa i hyrë në hak prezumimit të pafajësisë. Të mbrojë shoqërinë pa e trajtuar akuzën si dënim”, u shpreh ai.



