Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Komisioni Europian ka publikuar Progres-Raportin për Shqipërinë për vitin 2026, ku evidenton përparimin e vendit në disa fusha të rëndësishme të procesit të integrimit europian, por ngre një sërë shqetësimesh për funksionimin e demokracisë, pavarësinë e institucioneve, ndërhyrjet politike në drejtësi dhe lirinë e medias.
Në dokument, Komisioni vlerëson se Shqipëria ka përmbushur kriteret e ndërmjetme të kërkuara nga Bashkimi Europian në grupin e kapitujve që lidhen me çështjet themelore, përfshirë drejtësinë, të drejtat themelore dhe funksionimin e institucioneve demokratike.
Brukseli thekson se autoritetet shqiptare kanë ruajtur angazhimin për integrimin europian, me synimin për të mbyllur të gjithë kapitujt e negociatave deri në fund të vitit 2027. Megjithatë, për të arritur këtë objektiv, kërkohet përshpejtimi i reformave dhe zbatimi i tyre në praktikë.
Ekonomia dhe turizmi, vlerësime pozitive
Në pjesën ekonomike, Komisioni konstaton se Shqipëria ruajti ritmin e fortë të rritjes gjatë vitit 2025, e mbështetur nga kërkesa e brendshme dhe turizmi. Ky sektor ka ndikuar edhe në uljen e deficitit të llogarisë korrente në nivelin më të ulët historik.
Raporti evidenton gjithashtu uljen e raportit të borxhit publik, përmirësimin e tregut të punës dhe qëndrueshmërinë e sektorit bankar.
Vlerësime pozitive jepen edhe për sektorët e energjisë, arsimit dhe kulturës, doganat, lëvizjen e lirë të kapitalit, të drejtën e shoqërive tregtare, pronësinë intelektuale dhe politikat për ndërmarrjet dhe industrinë. Në këto fusha, Shqipëria vlerësohet me nivel të mirë përgatitjeje.
Kritika për Kuvendin, refuzohen kërkesat e opozitës për komisione hetimore
Përtej vlerësimeve pozitive, Komisioni Europian evidenton probleme të vazhdueshme në funksionimin e institucioneve demokratike. Sipas raportit, mungesa e dialogut politik dhe përplasjet mes shumicës qeverisëse dhe opozitës kanë kufizuar efektivitetin e Kuvendit.
Brukseli vëren gjithashtu se Kuvendi nuk ka zbatuar disa vendime të Gjykatës Kushtetuese, ndërsa kritika të drejtpërdrejta adresohen për refuzimin sistematik të kërkesave të opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore.
“Paraqitja e shpeshtë e nismave ligjore nga Këshilli i Ministrave, refuzimi sistematik i kërkesave të opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore dhe politizimi i emërimeve në organet kushtetuese ose institucionet e pavarura kontribuuan të gjitha në kufizimin e mbikëqyrjes së qeverisë nga Kuvendi”, thekson Komisioni Europian.
Një tjetër problematikë lidhet me politizimin e emërimeve në institucionet e pavarura dhe mungesën e konsultimeve publike efektive.
Reformë zgjedhore urgjente përpara zgjedhjeve të vitit 2027
Komisioni Europian kërkon një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore, duke vënë në dukje se disa rekomandime të kahershme të OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias mbeten ende të pazbatuara.
Sipas raportit, kuadri ligjor dhe institucional për zgjedhjet është përgjithësisht i përshtatshëm, por kjo nuk mjafton për të garantuar përmbushjen e të gjitha standardeve.
“Nevojitet urgjentisht një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore, veçanërisht përpara zgjedhjeve vendore të vitit 2027”, thekson dokumenti.
Protestat më të mëdha që prej tranzicionit demokratik
Një pjesë e raportit i kushtohet edhe protestave qytetare që nisën në maj 2026, si dhe protestave studentore të zhvilluara në tetor.
Komisioni Europian e cilëson mobilizimin qytetar si më të madhin në Shqipëri që prej tranzicionit demokratik, duke theksuar se në kulmin e tij dhjetëra mijëra qytetarë iu bashkuan protestave.
Raporti përmend edhe incidentet e dhunshme mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit gjatë protestave studentore të tetorit.
Shqetësim për Brukselin mbetet fakti se deri në momentin e hartimit të raportit nuk ishte zhvilluar asnjë dialog mes palëve.
“Të gjitha palët duhet të bëjnë përpjekje të sinqerta për t’u angazhuar në dialog konstruktiv”, thuhet në dokument.
SPAK vlerësohet për luftën kundër korrupsionit, por politika kritikohet për ndërhyrjet në drejtësi
Në kapitullin për drejtësinë, Komisioni Europian vlerëson përfundimin e procesit të vettingut për gjyqtarët dhe prokurorët, duke theksuar se reforma e vitit 2016 ka forcuar pavarësinë, llogaridhënien dhe integritetin e sistemit gjyqësor.
Vlerësim i veçantë i bëhet edhe SPAK-ut, i cili sipas Komisionit ka vijuar të demonstrojë pavarësi dhe të japë rezultate pozitive në hetimin e korrupsionit të nivelit të lartë.
Megjithatë, raporti ngre shqetësime për përpjekjet e zyrtarëve publikë dhe politikanëve për të ushtruar ndikim të papërshtatshëm mbi sistemin gjyqësor, përfshirë SPAK-un, si dhe për sulmet personale ndaj magjistratëve.
Komisioni thekson se korrupsioni mbetet një sfidë reale për Shqipërinë dhe kërkon forcimin e hetimeve, ndjekjeve penale dhe gjykimeve, si dhe më shumë dënime të formës së prerë, veçanërisht në çështjet e profilit të lartë.
Liria e medias, Brukseli evidenton lidhjet mes biznesit dhe politikës
Një tjetër kapitull problematik është ai i lirisë së medias. Komisioni vlerëson se Shqipëria ofron garanci ligjore të pamjaftueshme për lirinë e shprehjes dhe se kushtet në të cilat funksionojnë mediat duhet të përmirësohen.
Në raport evidentohen ndikimi i grupeve të biznesit me lidhje politike, përqendrimi i lartë i pronësisë mediatike dhe mungesa e transparencës për burimet e financimit.
Gjithashtu, Komisioni ngre shqetësime për ndërthurjen e interesave politike dhe ekonomike, frikësimin e gazetarëve, fushatat denigruese, paditë strategjike kundër pjesëmarrjes publike (SLAPP) dhe kushtet e pasigurta të punës në media.
Administrata publike dhe përdorimi i akteve normative
Në fushën e administratës publike, Shqipëria vlerësohet si mesatarisht e përgatitur. Megjithatë, Komisioni kritikon qeverinë për ndryshimet buxhetore të miratuara përmes akteve normative, pa mbikëqyrje parlamentare.
Sipas raportit, konsultimet publike nuk janë zhvilluar rregullisht dhe në mënyrë efektive, ndërsa procesi nuk është shoqëruar gjithmonë me veprime konkrete.
Pronat dhe burgjet, problematika ende të pazgjidhura
Në kapitullin për të drejtat themelore, Komisioni evidenton mangësi në kushtet e burgjeve, mbrojtjen e të drejtës së pronës dhe garantimin e të drejtave të pakicave.
Raporti thekson se ritmi i reformës në burgje nuk ka qenë në përputhje me ambicien e kërkuar dhe se kushtet në institucionet e vuajtjes së dënimit vijojnë të kërkojnë vëmendje.
Për çështjen e pronave, Brukseli kërkon përfundimin e regjistrimit fillestar të tokës, digjitalizimin e titujve të pronësisë dhe hartave kadastrale, si dhe përshpejtimin e kompensimit të pronave të konfiskuara gjatë regjimit komunist.
Shqipëria ka përmbushur vetëm gjysmën e objektivave të Planit të Rritjes
Një tjetër e dhënë e rëndësishme e Progres-Raportit lidhet me zbatimin e Planit të Rritjes së Bashkimit Europian. Sipas Komisionit, Shqipëria ka përmbushur 33 nga 66 hapat që duhej të realizoheshin deri në dhjetor 2025.
Për shumicën e hapave të tjerë është shënuar përparim i konsiderueshëm, por objektivat e mbetura kërkojnë vijimin e reformave.
Në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje, Shqipëria ka në dispozicion mbi 920 milionë euro në formën e granteve dhe kredive.
Në tërësi, raporti i vitit 2026 vlerëson përparimin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian, por nënvizon se objektivi për mbylljen e negociatave deri në fund të vitit 2027 mbetet i lidhur ngushtë me zbatimin e reformave, forcimin e institucioneve të pavarura dhe adresimin e problematikave që vijojnë të pengojnë funksionimin demokratik të vendit.



