KreuAktualitetKronikëNga dokumentet e falsifikuara te shitja 88 mijë euro/ Si u tjetërsua...

Nga dokumentet e falsifikuara te shitja 88 mijë euro/ Si u tjetërsua toka shtetërore në Povelçë

Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR

 

Prokuroria e Fierit ka zbardhur skemën e dyshuar të tjetërsimit të 44.100 metrave katrorë tokë shtetërore në fshatin Povelçë, pas së cilës janë vënë në pranga katër persona, mes tyre ish-drejtori i Kadastrës së Fierit, Arben Voja, i cili aktualisht mban detyrën e drejtorit të Spitalit Rajonal të Fierit.

Sipas hetimeve, toka në pronësi të shtetit është regjistruar në mënyrë të paligjshme në emër të një familjeje dhe më pas është shitur për 88.200 euro, me qëllim ndërtimin e një parku fotovoltaik. Prokuroria dyshon se për realizimin e kësaj skeme janë përdorur dokumente të falsifikuara dhe të dhënat e një prone tjetër, me sipërfaqe 4.000 metra katrorë.

Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për ish-kryetarin e Njësisë Administrative Dërmenas, Dilaver Shyti, Arben Vojën, juristen e Kadastrës, Fjorelo Bida, dhe noteren Anila Haxhiu. Ndërsa ndaj ish-specialistes hartografe Arbina Jaupaj është caktuar masa “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.

Hetimi ka nisur pas kallëzimit të shtetasit A.P., i cili pretendoi se një sipërfaqe toke në Povelçë ishte regjistruar në emër të familjes së tij pa dijeninë dhe pëlqimin e saj. Nga verifikimet e kryera, Prokuroria dyshon se prona prej 44.100 metrash katrorë, e regjistruar fillimisht në Librin e Ngastrave në pronësi të shtetit, është kaluar në pronësi private përmes një zinxhiri aktesh me përmbajtje të rreme.

Sipas organit të akuzës, për regjistrimin e paligjshëm janë përdorur një certifikatë pronësie, një kartelë pasurie me ndërhyrje fizike dhe dy prokura noteriale, me nënshkrime që dyshohet se janë falsifikuar.

Dokumentet janë lëshuar më 25 janar 2023, ndërsa vetëm pesë ditë më pas, më 30 janar, është nënshkruar kontrata e shitjes së tokës për 88.200 euro. Prokuroria thotë se shuma është transferuar në llogarinë bankare të Dilaver Shytit, i cili vepronte si përfaqësues me prokurë i familjes, por nuk u është dorëzuar personave që rezultonin si shitës.

Nga hetimet rezulton se familja A.P. kishte një akt të marrjes së tokës në pronësi për një sipërfaqe totale prej 25.800 metrash katrorë, ku përfshihej edhe një ngastër prej 4.000 metrash katrorë, për të cilën ishte pajisur me certifikatë pronësie në vitin 2007. Dyshohet se pikërisht referencat e regjistrimit të kësaj prone janë përdorur për të regjistruar në emër të familjes edhe sipërfaqen prej 44.100 metrash katrorë, megjithëse për këtë të fundit nuk ekzistonte asnjë titull pronësie dhe asnjë aplikim në dosjen e regjistrimit.

Kartela e rifreskuar e pasurisë dhe fragmenti i hartës kadastrale janë lëshuar nga Drejtoria Vendore e Kadastrës Fier më 25 janar 2023. Në këtë mënyrë, toka shtetërore është paraqitur si pronë private dhe më pas i është shitur personave të tretë, të cilët synonin ndërtimin e një parku fotovoltaik.

Sipas Prokurorisë, Dilaver Shyti ka gjetur blerësin, ka përcaktuar çmimin dhe ka nënshkruar kontratën në emër të familjes, pa dijeninë e saj. Gjithashtu, pas depozitimit të kallëzimit, ai dyshohet se u ka dorëzuar të dëmtuarve 15.000 euro në para në dorë, me qëllim që ata të tërhiqnin kallëzimin.

Paratë dhe fishekët e gjetur në banesën e ish-drejtorit të Kadastrës

Një tjetër element i hetimit lidhet me kontrollin e ushtruar në banesën e Arben Vojës në Fier. Gjatë kontrollit, brenda një sirtari të mbyllur me çelës, janë gjetur shtatë zarfe me para, mbi të cilat ishin shënuar emra dhe mbishkrime të ndryshme.

Në total, janë sekuestruar 31.720 euro, 608.000 lekë, 5.000 korona norvegjeze dhe 1.400 dollarë kanadezë. Po në të njëjtën dhomë janë gjetur edhe 46 fishekë të kalibrit 7.62 mm dhe 55 fishekë për armë gjahu.

Për sa i përket përgjegjësisë së personave nën hetim, Dilaver Shyti dyshohet për mashtrim me pasoja të rënda, falsifikim dokumentesh në bashkëpunim dhe pastrim të produkteve të veprës penale. Arben Voja, në kohën kur janë kryer veprimet, drejtonte Kadastrën e Fierit dhe dyshohet për falsifikim dokumentesh nga personi që ka për detyrë lëshimin e tyre dhe shpërdorim detyre.

Juristja Fjorelo Bida dyshohet për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre në bashkëpunim, ndërsa noterja Anila Haxhiu për falsifikim dokumentesh në bashkëpunim. Për ish-specialisten hartografe Arbina Jaupaj, Prokuroria ngre dyshime për shpërdorim detyre në bashkëpunim.

Përveç masave të sigurisë ndaj pesë personave, Gjykata ka vendosur edhe sekuestron mbi tokën prej 44.100 metrash katrorë.

Në fund të njoftimit, Prokuroria bën me dije se nga hetimet kanë dalë dyshime se me të njëjtën mënyrë veprimi mund të jenë tjetërsuar edhe pasuri të tjera në pronësi të shtetit. Hetimet vijojnë për të dokumentuar nëse skema është përdorur edhe në raste të tjera.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat